E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Serbia e njeh de facto Kosovën, ta njohë edhe de jure

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se është e pashmangshme njohja e Kosovës si shtet nga Serbia dhe autoritetet e Beogradit janë të shumë të vetëdijshme për këtë fakt.

“Në fakt, Serbia “de facto” veç e ka njohur Kosovën si shtet. Por, pritet durim, përkushtim, pritet edhe kohë, duhet pritur edhe “de jure”. Është e pashmangshme njohja e Kosovës si shtet nga Serbia dhe autoritetet e Beogradit janë të shumë të vetëdijshme për këtë fakt”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kryeministri i Kosovës tha se për integritetin territorial të vendit tonë, të shtetit tonë, në asnjë rrethanë dhe asnjëherë nuk do të ketë bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Kosova e ka të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht integritetin territorial. Kosova si shtet, me këtë territor, është e njohur nga 53 shtete të fuqishme botërore. Ndërsa jemi shume të përkushtuar të vazhdojmë ndërtimin e relacioneve të shkëlqyeshme si vende fqinje, jo vetëm me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, por në të ardhmen e afërt demokratike edhe me Serbinë, në mënyrë që të kemi punë të përbashkët për çështje konkrete që ndërlidhen me interesat e dy vendeve tona si shtete dhe dy popujve tanë”, u shpreh Thaçi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës shfaq besimin se me shtrirjen e EULEX-it edhe në veri do të shtrihet edhe autoriteti i institucioneve të vendit në atë pjesë por kapërjashtuar çdo mundësi të përdorimit të dhunës. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›