Lala, kontrata si dhuratë për Krishtlindje
Klubi gjerman i Hanover 96, ka menduar t'i bëjë një surprizë të bukur Altin Lalës, me rastin e festës së Krishtlindjeve. Kjo ka të bëjë me rinovimin e kontratës, e cila kapitenit të kombëtares i përfundon këtë sezon. Sipas revistës prestigjioze gjermane "Bild", mesfushori shqiptar ka marrë sinjale pozitive nga drejtuesit e klubit, ku aktivizohet prej 10 vitesh. Pritet që në ditët në vijim të zyrtarizohet kontrata e re, që për Lalën do të thotë mbyllje e karrierës me Hanoverin. Vetë kapiteni i kuqezinjve, i cili vazhdon terapinë riaftësuese pas operacionit në hernien diskale, ka folur për këtë çështje. "Eshtë një mesazh i shkëlqyer dhe një urim i mrekullueshëm për Krishtlindje. Unë e kisha marrë vendimin tim, pasi kisha biseduar edhe më parë me drejtuesit e klubit, por tani gjërat u bënë më konkrete,"- pohoi Altin Lala, që me shumë mundësi, përveç rinovimit të kontratës, mund të marrë edhe një detyrë tjetër brenda klubit. Mesfushori 32-vjeçar ka luajtur gjithsej 265 ndeshje me fanellën e Hanoverit, duke qenë lojtari i tretë me më shumë prezantime në historinë e klubit. Ndërkohë, presidenti i Hanoverit, Martin Kind, është shprehur me superlativa për shqiptarin. "Altini është një figurë e respektuar te Hanoveri dhe tifozët e duan shumë,"- theksoi Kind. - Ka vite që luan me skuadrën tonë dhe shpresojmë që pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai të vazhdojë të qëndrojë në klubin tonë, në një detyrë tjetër. Do të diskutojmë projektin me trajnerin dhe drejtorin sportiv, e më pas do të bëjmë bisedimet e fundit me përfaqësuesin e Lalës."
Lajmi që futbollisti shqiptar do të vazhdojë të qëndrojë me Hanoverin, ka gëzuar pa masë edhe tifozët. Këta të fundit, jo më kot, përpara ndeshjes me Hofenhaimin, kishin organizuar një koreografi posaçërisht për Lalën, ku në pankrata shkruhej: "10 vitet e zemërluanit".