Eno Birko: Shërimi që erdhi nga dr. Kopeliusi
Baleti “Kopelia, vajza me sy smeraldi” ktheu në skenë pas tetë muash Eno Birkon. Asnjë shenjë operacioni në “armët” e balerinit, në njërën këmbë, nuk është dukur qoftë dhe për një moment të vetëm. Me interpretimin e Dr. Kopeliusit, një rol protagonist, ai shfaqi një Birko surprizë me aktrimin komik të një plaku fanatik dhe egoist.
Balerini tregon se ëndrra e tij mbetet të sjellë në skenë baletin “Romeo dhe Zhulieta”. Por tani për tani është realist sa të vlerësojë objektivisht rikthimin dhe bashkëpunimin me Ilir Kernin.
Ti vjen nga një familje me emër në balet, babai yt ka qenë valltar. A është folur ndonjëherë në shtëpinë tënde për rolin e Dr. Kopeliusit?
Të them të drejtën unë tani e kam njohur këtë rol. E kam hasur në shkollë si libër, por në skenë nuk e kam parë asnjëherë. Babai im ka qene valltar në ansambël dhe nuk kishte lidhje. Dr. Kopelius është roli më i bukur i të gjithë baleteve. Mund të ketë shumë role të tjera si Don Kishoti, Zhizeli etj., por ky është roli më pikant dhe më kompleks. Është një plak i munduar nga jeta që ka një kukull. Ndonjëherë bëhet bufon, ndonjëherë bëhet komik, nganjëherë bëhet i thellë. Është një rol shumë i bukur.
Doktori yt të jep përshtypjen e një njeriu të vështirë që nuk do të përzihet me njerëzit, por nga ana tjetër është i dashuruar pas të bukurës.
Ai nuk ka asnjë lloj keqdashje apo ligësie. Është në botën e vet gjithmonë i prirur ndaj kukullës së vet, që e kishte si fëmijën e tij. Erdhi një moment që u dashurua me kukullën dhe është i ndarë nga bota tjetër. Kam punuar shumë për këtë rol. Në karakterin tim kam pasur shumë role negative, shpërthyese, por Kopeliusi ishte shumë ndryshe nga të tjerët. Madje akti i dytë është shumë i gjatë, në skenë jam vetëm unë me solisten dhe të jesh tërë kohën në skenë, në mizanskena në aktrim është e vështirë. Nuk kam pasur ndonjë rol teknik, por vetëm gjestet dhe mimika më kanë lodhur.
Takohesh gjëkundi me natyrën komplekse dhe naive të këtij plaku?
Edhe unë si Kopeliusi gjithmonë shoh punën time, nuk para bëj keq në jetë.
Për herë të fundit të kemi parë në skenë para një viti në rolin e shtrigut tek “La Sylphide”. Çfarë ke bërë gjatë kësaj kohe?
Jam “zhdukur” për probleme shëndetësore. Në fillim të këtij viti kam kryer një operaciondhe ishte Dr. Kopeliusi që më ngjiti në skenë pas tetë muajsh. Mu desh të bëja një punë të madhe për tu dobësuar, pasi gjatë kësaj kohe kisha shtuar shumë në peshë. Për një muaj e gjysmë kam arritur në formën time aktuale, dhe gjatë kësaj kohe më është dashur të bie në peshë rreth 15 kg. Të them të drejtën pas gjithë këtyre muajve shkëputjeje ndjeja një farë frikë dhe pesimizëm, për rikthimin tim në skenë.
Si ka qenë marrëdhënia me Ilir Kernin koreograf ?
Ai për mua është ikona e baletit shqiptar. Iliri i përket një plejade shumë të mirë artistësh. Edhe pasionant edhe me zemër. Me Ilirin koreograf puna është shumë e vështirë sepse është shumë kërkues në çdo detaj. Nuk të lë të bësh as gabimin më të vogël. Është kritik dhe shumë kërkues në muzikë, në aktrim. Çdo pjesë duhet të ketë vendin e vet në mënyrë që roli të dalë bukur.
Po trupa e baletit, nuk të duket sikur të ketë rënë në gjumë të rëndë?
Jo gjumë i rëndë. Unë them përherë që trupa ka prurje të reja, është një elitë shumë e mirë Enada, Gerti, Ezdalini e shumë të tjerë. Po kjo mungesë vjen ngaqë ne nuk kemi shfaqje. Unë bëj një apel për të gjithë balerinët duke filluar që nga vetja ime: ne duhet të kemi më shumë shfaqje në vit dhe në muaj, por që të bësh një shfaqje duhen kostume të reja gjë që nuk mund ta bëjmë për shkak të buxhetit të vogël. Kostumet tona për shumë premiera kanë ardhur nga jashtë dhe po prapë aty kanë shkuar. Mundësia për t’i rivënë këto pjesë në skenë ka ikur. Ndërsa kostumet e “Kopelias” janë blerë dhe rasti më i parë kur mund të ringjitemi në skenë është në janar. Duhet që të bëjmë shfaqje çdo muaj sepse është mirë për teatrin edhe për ne. Megjithatë trupa punon gjatë gjithë vitit me ushtrime, të gjithë punojnë normalisht.
U bënë dy vjet që Teatri i Operës dhe i Baletit nuk ka koreograf. Si funksionon ky institucion në këto kushte?
Largimi i Agron Aliajt ishte një humbje e madhe për të gjithë. Megjithatë duke marrë edhe koreografë nga jashtë si Iliri, janë bërë disa shfaqje. Enada me Gerti kanë bërë një mjuzikol gjithashtu. Edhe kështu kemi arritur diçka por duhet medoemos një balet maestër në Opera.
Dikur të kemi parë të kërcesh edhe balet modern...
Jo vetëm unë por të gjithë ne, flas për brezin tim. Kemi qenë veç solistë të parë në opera dhe kemi marrë pjesë nëpër spektakle. Kjo është dhunti edhe e vetë balerinit që ndihet mirë edhe në spektakle. Është një ndihmë nga ana financiare plus edhe për imazhin. Megjithatë kryesore ka qenë puna në opera. Aty merr vlerë një balerin. Spektakli nuk ta heq vlerën, por baleti klasik mbetet primari.
Ke pasur edhe projekte për një kompani private baleti. Ç’u bë me këtë ëndërr?
Ky projekt është edhe aktual, edhe për të ardhmen. Në Shqipëri pengesa kryesore është buxheti. Unë jam balerin dhe nuk kam lekë për të ngritur një trupë. Kjo do të bëhet me ndihmën e një biznesmeni që është artdashës, vetë nuk mund ta marr përsipër. Në vitin 2003 formova një trupë me pesë çifte. Shkaku kryesor ishte Adi Krasta që më kërkoi të merrja pjesë në spektaklin “Ethet”. Ishte ai që më dha shtysën për të marrë një imazh timin në një spektakël. Fillova ndonëse pa pasur një sallë të mirëfilltë provash. Trupa kërceu natën e parë në spektakël, pastaj erdhën disa situata dhe grupi u shpërbë. Projekti ka ngelur tek A-japor mbetet dëshira për të bërë një trupë timen. Nuk ka rëndësi do kërcej në opera apo në spektakle.