E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Serbia po vazhdon politikën e ambivalencës

Përderisa autoritetet në Beograd vazhdojnë t’u bëjnë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, këta të fundit janë shprehur kundër pjesëmarrjes. Deputetët e të të ashtuquajturit “Kuvend i përkohshëm i Krahinës autonome të Kosovë e Metohisë”, kanë thënë se këto zgjedhje janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë si dhe me Rezolutën 1244. Analisti politik Belul Beqaj këtë sjellje të serbëve të veriut dhe politikën publike të Beogradit, e quan lojë dyfytyrësie, si taktikë për ngritjen e pozitës së serbëve të veriut.

Kërkesa e Beogradit zyrtar për serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe kundërshtimi nga ana e këtyre të fundit, nga analisti politik, Belul Beqaj shihet si taktikë për forcimin e pozitës së serbëve në Kosovë. Ai thotë për Radio Kosovën se loja e tillë e dyfytyrësisë është taktika më dinake e Serbisë.

“Loja e dyfytyrësisë është pjesë e strategjisë dhe çështja e reagimit publik është faktikisht një pjesë e cila përbënë njërën nga taktikat më spirituoze, më dinake të pushtetit serb karshi Kosovës. A ju po mendoni se serbët mund të bëjnë diçka në veri pa ndihmën dhe mbështetjen e shtetit të Serbisë? Unë mendoj se jo”, tha Beqaj për Radio Kosovën.

Qëllimi i gjithë kësaj, sipas analistit Beqaj, është që të serbët të krijojnë një mini-shtet brenda Kosovës.

“Ata do ta vazhdojnë politikën e ambivalencës, për shkak se kjo është një pjesë e taktikës e cila shpie në forcimin e pozitës së tyre pas këtyre zgjedhjeve, me orientim që duke u faktorizuar më tej ta kërkojnë edhe zgjidhjen e tyre përfundimtare duke e krijuar një ambient të pavarur karshi shtetit, pra në kuadër të shtetit të Kosovës të krijohet një mini-shtet i Serbisë” , tha Beqaj.

Beqaj tërheq vëmendjen edhe për faktin që e Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka kërkuar ndihmën e administratës së Novi Sadit për regjistrimin e serbëve të ardhur nga Kosova që mund të votojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës, e ku thuhet se janë rreth 4 mijë e 500 serbë me të drejtë votë. Beqaj thotë se pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet në veri, do të bëjë të pamundur që të ketë asamble me përfshirjen edhe të komuniteteve tjera.

“Sa më shumë serbë që dalin në zgjedhje, aq më pak ka mundësi që shqiptarët të jenë pjesë përbërëse të asambleve në veri”, tha ai.

Analisti Beqaj kritikon aktorët e përfshirë në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe në përgatitjen e zgjedhjeve, duke thënë se nuk po e kuptojnë se këto çështje janë të rrezikshme për vendin. Sipas tij, pasojat e kësaj politike të Beogradit do të shihen më vonë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›