E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formimi i fondit të veriut, i panevojshëm

Përderisa mediat në Kosovë shkruajnë se qeveria ka hartuar gjithë bazën ligjore për funksionalizimin e komunës së Mitrovicës së veriut, eksperti i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se emërtime të tilla i japin kuptim ndarjes.
Duke folur për zhvillimin ekonomik të asaj pjese, Limani potencon se emërtimet Mitrovicë e veriut apo e jugut nuk duhet të përmenden meqë ekziston vetëm një Mitrovicë.

“Ne sikur po e teprojmë më ato emërimet veriu i Mitrovicës, jugu i Mitrovicës. Një gjë duhet ta dimë, nuk ka as Trepçë të veriut e as Mitrovicë të veriut. Ka një Mitrovicë, ka një zhvillim ekonomik dhe ka vetëm Kosovë. Prandaj unë nuk e pranoj një ndarje të tillë dhe as ato ide se çka do të bëjmë për veriun, si do ta zhvillojmë veriun. Por, duhet të mendojmë se si do ta zhvillojmë Kosovën”, tha Limani për Radio Kosovën.

Po ashtu, Limani e ka quajtur të panevojshëm formimin e Fondit për zhvillim të veriut. Sipas tij, në aspektin ekonomik nuk duhet ta ndahet veriu e as jugu.

“Pse të ketë përparësi një pjesë e vendit në krahasim me pjesën tjetër, në këtë rast theksi vihet në tri komunat serbe, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Sigurisht që këto komuna nuk janë të paprekshme ose nuk kanë zbritur nga qielli serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Pra, edhe ata janë qytetarë si të gjithë qytetarët e tjerë të shtetit tonë. Prandaj nuk duhet të bëjmë dallime në këtë drejtim”, tha Limani.

Ndryshe, Musa Limani thotë se me zgjidhjen e problemeve ekonomike, ato politike do të zgjidhen shumë më lehtë. Duke shtuar se çelës i stabilizimit politik është zhvillimi i ekonomisë në tërë Kosovën. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›