E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqir Meta: Athina po ushtron presion, na mohon identitetin

TIRANE- Greqia është e shqetësuar për mënyrën sesi shqiptarët e shkruajnë historinë, sepse sipas saj, ne po i marrim marrin heronjtë. Siç raporton nga Athina gazetarja e "News24", Anila Jole, në vigjilje të vitit të ri shkollor, mediat greke rikthehen të kritikojnë tekstet shkollore që përdoren në Shqipëri, të dhënat e të cilave i referohen Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Por pas shkrimeve në website të ndryshme, ndër të cilat edhe ai i gazetës "Proto Thema", ka reaguar drejtori i Institutit të Historisë së Shqipërisë, Beqir Meta.

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", ai u kundërpërgjigjet të gjitha atyre "shqetësimeve" të mediave greke, duke kundërakuzuar se janë ata që na mohojnë identitetin dhe se Athina po ushtron presion mbi qeverinë e Tiranës. Kjo e fundit, sipas Metës u pa qartë edhe nga kabllogramet e 'Wikileaks'. Kreu i Institutit të Historisë, jo pak i habitur nga pretendimet greke, ndoshta në disa raste përgjigjet jo me pak ironi, por nga ana tjetër ai i argumenton përgjigjet me fakte historike. Cili është qëndrimi i tij për Marko Boçarin, genocidin ndaj popullsisë çame, dhe pretendimet për heronjtë që 'shqiptarët i paskan marrë Greqisë'... Beqir Meta përgjigjet më poshtë.

Profesor, media greke ka vënë në qendër të kritikave të veta një ndër botimet shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik. Ata kundërshtojnë përdorimin e termit 'genocid' në Çamëri. Meqenëse ju jeni marrë me këtë periudhë historike, cili është qëndrimi juaj?
Si mund ta quajmë ndryshe një ngjarje, ku popullsia dëbohet me dhunë? Si mund ta quajmë ndryshe faktin që u vranë më shumë se 4500 e veta, duke mos llogaritur këtu ata që humbën rrugës, apo vdiqën nga plagët e nga uria? Çfarë t'i themi kësaj ne, në mos genocid? Përkundrazi, ky është rasti tipik i genocidit-zhbërje e një popullsie, shkulje nga rrënjët e veta, asgjësim i saj në mënyra të ndryshme! Ajo çfarë ndodhi në Çamëri ka qenë shfarosje në të gjitha mënyrat, sulme në shumë anë, madje edhe me ushtri të organizuar, ushtri që ka goditur popullsinë. Ajo ç'ndodhi atje ka qenë genocid, sepse qe një sulm që i drejtohej një popullsie për shkak të etnisë së saj e për shkak të fesë së saj.
Një tjetër citim nga mediat greke ka të bëjë me Marko Boçarin. Sipas tyre, është gabim që Marko Boçari, figurë udhëheqëse e revolucionit grek të 1821-it, të quhet shqiptar...
Nuk është një gjë e panjohur fakti që Marko Boçari është shqiptar suljot. Ai luftoi kundër Perandorisë Osmane, por kjo nuk do të thotë se ai qe grek. Ai luftoi, pra bëri revolucion në emër të lirisë dhe për të mbrojtur ortodoksët, fe së cilës i përkiste edhe ai vetë. Por, nuk mund të ecet me idenë që çdo ortodoks është grek, sepse ai qe ortodoks, por ishte shqiptar.
Shqiptarët akuzohen se po iu marrin grekëve heronjtë. Dini ju ndonjë rast që historiografia jonë ka përvetësuar heronj grekë?
Ky citim i tyre ka të bëjë me momentin ku ata thonë se, "pas Maqedonisë, tani edhe Shqipëria kërkon të bëjë hero të vetin, Aleksandrin e Madh". As kjo nuk qëndron. Ne nuk i kemi marrë heronj as Greqisë, as Maqedonisë, përkundrazi ka ndodhur krejt ndryshe. Ata janë përpjekur të na marrin neve heronj. Siç thashë më lart, ata ecin me idenë se çdo ortodoks është grek, por kjo nuk është e vërtetë. Ky është kompleks i tyre! Është një kohë që duket të mbyllen këto komplekse e këto paragjykime, por me sa shoh, këto vetëm sa po thellohen. Ata po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion.
Greqia po ushtron presion ndaj nesh?
Po. Siç e pamë edhe prej publikimit të kabllogrameve të ambasadës amerikane në "Wikileaks", Athina ka ushtruar e po ushtron presion ndaj qeverisë aktuale shqiptare, e jo vetëm ndaj kësaj, por edhe ndaj qeverive të tjera. Kjo nuk ka kuptim! Presioni i Athinës ka të bëjë me dëshirën për helenizim dhe shtrirje të interesave greke. Unë jam për marrëdhënie të mira me Greqinë, unë jam për marrëdhënie miqësore me fqinjët, por kjo nuk ka kuptim. Marrëdhëniet e mira do të thotë të respektojmë njëri-tjetrin, e këto pretendime nuk tregojnë respekt.
(Intervista u botua sot ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Greqi, mediat: Shqiptarët po na marrin heronjtë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›