Beqiraj: Ndaj Hajdukut dua golin e 100-të

Sulmuesi pejan i Dinamos se Zagrebit, synon që në derbin e madh kroat kundër Hajdukut të shënojë golin e 100 në karrierën e tij. Hajduku dhe Dinamo do të ndeshen të shtunën mbrëma në Poljud të Splitit në derbin më të madh kroat.
Reprezentuesi kosovar i Malit të Zi, tashmë ka lënë anash krizën e edicionit të kaluar duke u kthyer në formën e tij të mirë. “Në pjesën e dytë të edicionit të kaluar gjatë përgatitjeve kam luajtur dy-tri ndeshje, kurse më pas nuk isha askund. Kam stërvitur dhe atë shumë mirë, por nuk më jepej mundësia për të luajtur. Sidoqoftë, ndoshta kjo pjesë ka qenë e shkruar të ndodhë kështu në karrierën time. Tash kjo i takon të kaluarës. Me rëndësi është se jam kthyer në skuadër, pasi kjo ishte dëshira ime e flaktë”, ka thënë Beqiraj për mediat kroate.
Ish sulmuesi i Besës së Pejës në sezonin e tij të parë tek gjiganti kroat kishte shënuar 11 gola, derisa në sezonin e dytë realizoi 27 gola. Ai synon që golin e 100 zyrtare në karrierën e tij futbollistike ta shënojë pikërisht kundër Hajdukut. “Nëse do të shënoj kundër Hajdukut në ‘Poljud’, do të jetë goli im i 100 zyrtar në karrierë. Këtu i llogaris golat që kam shënuar në Buduçnost dhe Dinamo. Sigurisht se mund ta paramendoni se sa dëshirë të madhe kam që këtë gol jubilar ta festoj në ‘Poljud’. Vetëm një herë i kam shënuar Hajdukut, por dëshiroj ta vazhdoj serinë e nisur në këtë edicion dhe të gjej golin edhe në ndeshjen e katërt me radhë”, tha sulmuesi pejan./indeksonline/