E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaka tifo për Shqipërinë, "i çartë" zviceranët

Granit Xhaka i ka çartur zviceranët pasi e bëri një postim i cili u tregua i papranueshëm për ta në rrjetin social Twitter. Në fakt, mesfushori kosovar ka shkruar: ‘Forca Shqipëri’, duke e mbështetur vendlindjen e tij në ndeshje me Islandën, tek rezultati momental 1-1, në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2014, të cilën në fund e fituan islandezët 2-1.

Vetëm pak minuta më parë, Zvicra e kishte mposhtur Norvegjinë në Oslo me rezultat 2:0. Webfaqja zvicerane sport.ch ia ka kushtuar një tekst të veçantë 20 vjeçarit, duke i cekur disa pika, për ta bindur atë se bëri gabim që e bëri këtë postim. Ky portal cek se mesfushori i Borussia Monchengladbachut e ka bërë së pari një “tweet” për Zvicrën e pastaj për Shqipërinë. Mesfushorit të njohur nga Bundesliga i është kujtuar edhe fakti që e ka kënduar himnin shqiptar.

Por, ata pyesin se përse Xhaka nuk e këndon himnin e Zvicrës? “Sepse nuk mundem. Nuk e kam mësuar në mënyrë logjike si fëmijë, sepse prindërit e mi nuk janë rritur në Zvicër”, kishte thënë ish futbollisti i Baselit. Gjithashtu, ky portal shkruan se nëse Zvicra do të dështonte në Norvegji dhe Shqipëria po të fitonte në Islandë, Helvetikëve do t’u rrezikohej pozita e parë, pasi më 11 tetor do të luajnë pikërisht kundër Kuqezinjve në Tiranë.

Për zviceranët, është i papranueshëm fakti se Xhaka e përkrah pikërisht një kundërshtar të Zvicrës, përkundër faktit se ka prejardhje shqiptare. Ata kërkojnë që prishtinasi të jetë më i kujdesshëm në të ardhmen me postimet e tij. Xhaka nuk është kursyer as nga letra e hapur që i ka dërguar opinionit shqiptar kohë më parë, para ndeshjes së parë Zvicër – Shqipëri./indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›