Beqiraj synon Euro 2012

Sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj do t’i zhvillojë dy ndeshjet e tij më të rëndësishme deri më tani me përfaqësuesen e Malit të Zi, i cili të premten do të jetë mysafir i Republikës Çeke, në ndeshjen e parë të barazhit për kualifikim në Euro 2012.
Beqiraj, ish anëtar i Besës së Pejës, Buduçnostit të Podgoricës dhe aktualisht Dinamo Zagrebit, është në mesin e futbollistëve të ftuar nga selektori Branko Brnović për dy ndeshjet me çekët.
Pavarësisht se Mali i Zi është një shtet i ri dhe i papërvojë për këtë fazë të garave, Beqiraj beson se ata mund ta sigurojnë kualifikimin për në garën e vitit të ardhshëm, që zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
“Na pret një kundërshtar të cilin e doja dhe mendoj se kemi gjasa reale për t’u kualifikuar”, deklaroi Beqiraj. Mali i Zi, që kishte arritur vetëm një fitore nga 10 ndeshjet e saj në debutimin në kualifikime për në Kampionatin Botëror 2010, ka shkëlqyer në fushatën për Euro 2012, ku përveç gjashtë fitoreve, arriti të barazojë dy herë me Anglinë dhe pësoi dy disfata. Republika Çeke, që fitoi garën më 1976, do të udhëtojë në Podgoricë katër ditë më vonë.
Në ndeshjet tjera, Bosnja pret Portugalinë, në përsëritje të përballjes së tyre në barazh për kualifikim në Kampionatin Botëror 2010. Portugalia fitoi me rezultat të përgjithshëm 2-0 dhe do të shpresojë në përsëritjen e paraqitjeve cinike.
Një gjë është e sigurt, njëri mes yjeve Edin Dzeko dhe Cristiano Ronaldo do ta përcjellë Euro 2012-ën si shikues. Ndërsa, Kroacia do të kërkojë inspirim nga humbja e rëndë nga Turqia në çerekfinale të Euro 2008, kur takohet me kundërshtarin e njëjtë të premten, ka thënë selektori Slaven Bilic.
Kroacia ishte vetëm disa sekonda larg kalimit në gjysmëfinale para se të humbte në penallti, ndërsa kishte kaluar në epërsi në minutën e fundit të lojës shtesë. Turqia barazoi në aksionin e fundit të takimit e më pas fitoi me penallti. Të përzgjedhur e strategut holandez Guus Hiddink do të synojnë që sërish të dalin më të mirë se Kroacia, për ta siguruar pjesëmarrjen në Euro 2012. Ndërsa, në përballjen tjetër, befasia e fushatës kualifikuese që eliminoi Serbinë, Estonia, e pret Republikën e Irlandës.
Barazhi për Euro 2012
Sonte Ora
Bosnja-Portugalia 20:00
Turqia-Kroacia 20:05
Rep.çeke-Mali i Zi 20:15
Estonia -Rep.e Irlandës 20:45