Ronaldo, më komplet se Messi

Ylli i Real Madridit, Leite Kaka beson se bashkëlojtari i tij, Cristiano Ronaldo është futbollist më i kompletuar se Lionel Messi. Ylli argjentinas i Barcelonës është kampion aktual i FIFA Topit të Artë dhe shumëkush beson se ai do ta mbrojë çmimin për 2011 pasi e ndihmoi gjigantin katalan drejt suksesit në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.
Mirëpo, më herët gjatë këtij muaji, Ronaldo mori Pichichin e Marcas për shënimin e rekord 41 golave sezonin e kaluar dhe Kaka mendon se portugezi është në epërsi.
“Messi është i jashtëzakonshëm. Të themi se kush është më i miri në botë është relative, sepse varet nga ajo që bëni për kolektivin. Ai dhe Cristiano janë më të mirët në botë, por në lojën e sotme, në futbollin modern, Cristiano është futbollisti më i kompletuar në botë. Ai mund të shënojë gola me të majtën, të djathtën, me kokë dhe nga goditjet e lira. Messi është i shkëlqyeshëm me të gjitha kualitetet që ka, por Cristiano është futbollist më i kompletuar se ai”.
Kaka shtoi: “Cristiano është futbollisti më i mirë me të cilin kam luajtur. Kam luajtur kundër Zidane, por nuk kam luajtur me të. Ronaldo është më i miri për gjeniun e tij dhe shpejtësinë e të menduarit. Ronaldinho është shumë afër këtij niveli”.
Ish ylli i Milanit ka filluar të tregojë shenja të partneritetit mbresëlënës të tij me Ronaldon pasi të dy erdhën në Santiago Bernabeu në verën e vitit 2009, por braziliani vuajti nga lëndimet e shpeshta.
Megjithatë, Kaka ka filluar ta rikthejë formën e tij të mirë që tregonte në Milan e që detyroi Realin t’i paguante 65 milionë euro për transferimin e tij. Ai insiston se kurrë nuk kishte dyshime se do të kthehej në formën e tij më të mirë, pavarësisht vështirësive.
“Kam pasur ditë të vështira sepse kam stërvitur dhe punuar shumë, por nuk e dija se çka nuk është në rregull me mua. Megjithatë, isha i sigurt se do të paraqitesha sërish në shkallën më të lartë dhe të jem futbollist yll. Nuk e di nëse do të jem futbollisti që isha në Milan, por dua të bëhem futbollist i rëndësishëm dhe t’i ndihmoj ekipit tim. Ky është motivimi im”, u shpreh ai.
29 vjeçari ka pranuar se kaloi periudha të vështira për shkak të problemeve me lëndime, por është optimist se ka rol për të luajtur me ekipin e Jose Mourinhos.
“Kishte kohëra kur dukesha si një robot me lëvizje mekanike rreth fushës. Nuk isha i lumtur dhe ndjeja dhimbje pasi që bëja ngrohje të lehta. Nuk e dija se çka do të ndodh me mua, por kurrë nuk kam menduar të ndalem. Kam qarë shumë herë i vetëm dhe me familjen time. Por, tani jam duke u paraqitur mirë. Kam biseduar me trajnerin dhe ai më ka thënë se më do këtu. Pastaj, presidenti Perez më ka shpjeguar se nuk kishte nevojë të më shesë dhe se duhet të jem i qetë. Kam qenë më i relaksuar pas atij takimi. Është një sfidë për të qëndruar këtu dhe ajo më motivon”, përfundoi ai.
Tani në sezonin e tij të tretë në Real, Kaka ka bërë vetëm 66 paraqitje për Los Blancos dhe ka realizuar 20 gola, statistika mbresëlënëse.