Beqiraj synon Ligën e Kampionëve

Futbollistët e Dinamos së Zagrebit zyrtarisht morën trofeun dhe medaljet për titullin e tyre të 13-të të kampionit të Kroacisë, të gjashtin me radhë. Para tyre është ndeshja e kthimit e finales së Kupës kundër Varazhdinit, ku mbrojnë epërsinë e thellë, 5-1.
Edhe pse në ndeshjen e xhiros së fundit me Splitin luajtën baras 1-1, futbollistët janë të kënaqur me titullin e kampionit. Në sezonin e tij të parë në Dinamo, sulmuesi kosovar, Fatos Beqiraj ka lënë gjurmë të rëndësishme dhe menjëherë përjetoi ndjenjën e kampionit.
“E kam ditur se kam ardhur në një klub të madh që ka ambicie të mëdha. Isha i vetëdijshëm për këtë, jam angazhuar nga dita e parë dhe mendoj se kam arritur të tregoj atë që di të bëj”, tha Beqiraj pas ndeshjes me Splitin. Ai dha parashikimin e tij se çka e pret Dinamon në të ardhmen.
“Dëshira jonë është të hyjmë në Ligën e Kampionëve dhe për këtë na duhet të përgatitemi mirë sezonin e ardhshëm. Duhet të japim gjithçka nga vetja, në kualifikime duhet të tregojmë kualitetet tona, por na nevojitet edhe pak fat në short” përfundoi ish-futbollisti i Buduçnostit, Besës dhe Shqiponjës.