Cagliari e Atalanta, pas Kasamit

E ardhmja e Pajtim Kasamit duket të jetë larg Palermos. Presidenti i klubit sicilian ka bërë të ditur se në adresë të mesfushorit ka arritur një ofertë nga Cagliari. Andaj, përfaqësuesi U21 i Zvicrës mund ta lërë klubin Rosanero gjatë verës.
“Rezervistët tanë janë mjaft të kërkuar. Cagliari për shembull ma ka kërkuar Kasamin. Janë shumë skuadra nga Serie A që i kërkojnë rezervistët tanë dhe ne me gjasë do t’i dërgojmë këta lojtarë në huazim, për t’u mundësuar që të luajnë”, deklaroi kreu i Palermos për uebfaqen italiane mediagol.it.
Ndërkohë, skuadra e fundit që ia ka vënë syrin 19-vjeçarit është Atalanta, e cila sezonin e ardhshëm do të garojë në elitën e futbollit italian. Sipas uebfaqes italiane tuttoatalanta.com, Kasami mund ta ndjekë rrugën e drejtorit sportiv aktual të Padovës, Rino Foschi, i cili do të zbarkojë në Bergamo gjatë verës.
Ky i fundit ishte munduar që ta transferonte ish-futbollistin e Lazios e Bellinzonës në Padova, por Kasami nuk dëshironte të luante në Serie B. Ai i ka zhvilluar 14 ndeshje këtë sezon me Palermon, mbi të gjitha në Europa League, pa arritur ta shënojë ndonjë gol. I lindur në Strugë, në Maqedoni, më 2 qershor 1992, numri 4 i Palermos, Pajtim Kasami mund të luajë mesfushor defanziv, por edhe ofanziv.