E Diel, 1 Nëntor 2026

Birmigem dhe Blekpul shoqërojnë Uest Ham një kategori më poshtë

Ka përfunduar Premier League, që ka dhuruar surpriza dhe emocione në javën e fundit: “Djajtë”, ndonëse kampionë, nuk i hapin rrugë Blekpulit që bie në Divizionin e Parë

Mançesteri ishte shpallur kampion, por “Djajtë” e Fergusonit e kanë merituar dje më shumë se kurrë nofkën e tyre. Ata janë treguar të pashpirt ndaj formacionit të Blekpulit, ekip që ishte ngjitur në Premier League vetëm pak muaj më parë. Ndonëse ekipi kampion e kishte mendjen te finalja e madhe e së shtunës kundër Barcelonës, ata nuk kanë toleruar aspak ndaj skuadrës që luftonte për mbijetesë. Ndonëse Fergi kishte vendosur të linte shumë prej yjeve të tij pushim, “rezervat” kanë luajtur fort dhe kanë triumfuar 4-2. Në fakt, Blekpuli u duk se do të merrte tre pikët aq jetësore, kur përmbysi disavantazhin 1-0 (gol i Park) në 1-2 në minutat 40-të dhe 57-të. Por Anderson do të barazonte në minutën e 63-të, 6 minuta përpara se Jan Evat të shënonte një autogol. Për të vulosur rënien e Blekpulit, mendoi Majkëll Ouen me golin e tij në minutën e 83-të. Birmingam ishte vetëm pak sekonda larg shpëtimit, përpara se Roman Pavljuçenko t’u shembte tokën nën këmbë. Sfida Totenhem-Birmingam dukej se do të përfundonte 1-1 dhe të dy ekipet do të ndanin nga një pikë, që për miqtë ishte oksigjen i pastër. Por rusi Pavljuçenko do të shënonte në kohën shtesë të sfidës, duke bërë që Birmingami të zbresë një kategori më poshtë, sikundër edhe në sezonin 2005/2006. Kështu, qyteti i Birmingamit do të përfaqësohet në Premier League vetëm me Aston Vilën sezonin e ardhshëm. Uigan e arriti mbijetesën pas fitores dramatike në fushën e Stokes. Minuta e 78-të ka qenë vendimtare, kur Rodajega shënoi pas asitit të Figueroas, duke i dhënë skuadrës 3 pikë me shumë vlera, çka u përkthyen në mbijetesë për skuadrën e vogël.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›