E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiraj synon tituj

Sulmuesi i Dinamo Zagrebit, Fatos Beqiraj ka treguar ambiciet për pjesën e dytë të sezonit. Ylli kosovar synon të shpallet kampion i dyfishtë me Dinamon dhe beson se ekipi është në rrugë të mirë drejt realizimit të këtij synimi. 23 vjeçari thotë se skuadra ka marrë mësim nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve dhe herën tjetër do të paraqitet më denjësisht.

Dinamo e Zagrebit ka shkëlqyer gjatë pjesës së parë të sezonit në kampionatin kroat, duke qenë lider pas 17 xhirosh me 42 pikë, gjashtë më tepër se përcjellësi i parë, rivali kryesor Hajduk Split.

Sigurisht, njëri prej më meritorëve për rezultatet pozitive të Dinamos është sulmuesi kosovar Fatos Beiqraj, realizuesi më i mirë i skuadrës me nëntë gola. Ish futbollisti i Besës së Pejës në një intervistë për ueb faqen zyrtare të klubit ka treguar ambiciet e tij për pjesën e dytë të edicionit, e që kanë të bëjnë kryesisht me fitimin e titujve.

“Nuk është ndonjë fshehtësi të them se pres kurorën e dyfishtë. Besoj se do të luajmë futboll të bukur dhe me këtë do të ftojmë publikun në stadium. Nëse njerëzit vijnë në stadium dhe shohin shanse dhe gola, atëherë do të kthehen edhe javën e ardhshme”, tha ai.

Beqiraj insiston se suksesi i ekipit është më i rëndësishëm se arritjet e tij personale. “Për mua suksesi i ekipit është gjithmonë më i rëndësishëm, kurse kur skuadra luan mirë dhe fitojmë, atëherë edhe për ne sulmuesit është më lehtë të shënojmë”, shtoi pejani.

Dinamo, në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e kampionatit, është duke marrë pjesë në Athlantic Cup dhe Beqiraj është shprehur i kënaqur me punën e bërë dhe theksoi se ndihet mirë para pjesës së dytë të sezonit.

“Ndihem shkëlqyeshëm dhe vërtet është kënaqësi të stërviteni dhe luani. Kemi pasur një pushim të gjatë prej një muaji, kam pushuar mirë dhe mezi prisja kthimin në Dinamo dhe nisjen e përgatitjeve. Puna është duke shkuar shumë mirë, nuk kam problem me lëndime dhe kjo është më e rëndësishmja”, theksoi ai.

Beqiraj njihet si futbollist të cilit i nevojitet kohë për të hyrë në formën e tij më të mirë. Në fakt, 23 vjeçari në fillim të sezonit realizoi vetëm një gol pas shtatë ndeshjes, por më pas shënoi tetë herë në nëntë takimet e ardhshme.

“Po, gjithmonë ka qenë kështu. Thjesht ashtu duket sikur jam mësuar dhe më nevojitet pak kohë. Në fund të fundit më me rëndësi janë rezultatet e ekipit se golat e mi”, vazhdoi Beqiraj. Dinamo në ndeshjet përgatitore ka luajtur shumë mirë.

“Jemi në rrugë të mirë dhe jemi të kënaqur me lojërat që po bëjmë. Puna është duke shkuar shumë mirë”, theksoi ish lojtari i klubit malazez Buduçnost.

Beqiraj ka pranuar se meritor për lojërat e mira të ekipit është trajner i ri, Ante Cacic. “Përshtypjet e para janë vërtet të mira. Punojmë shumë me top, stërvitjet janë interesante, ndërsa ne shpejt kemi mësuar filozofinë dhe mendimet e tij. Sigurisht, nevojitet kohë për t’u njohur dhe bashkëpunuar më mirë, por në këtë fillim mund të them se jam vërtet i kënaqur, si unë ashtu i gjithë ekipi”, u shpreh Beqiraj.

Dinamo u eliminua turpshëm nga faza e grupeve e Ligës së Kampionëve, por Beqiraj thotë se ekipi ka mësuar nga përvoja e pjesëmarrjes në garën elite të klubeve evropiane. “Kemi luajtur gjashtë ndeshje të shkallës më të lartë, e pamë se si luhet atje dhe mësuam shumë që kur të marrim pjesë sërish, të jemi më të mirë” përfundoi ish sulmuesi i Besës nga Peja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›