E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiri: Më çudit ortodoksia serbe

Prishtinë - Qeveria e Kosovës do të angazhohet në mbrojtjen e tërësisë religjioze ortodokse serbe të Kosovës. Përmes një konference për shtyp, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, tha se në traditën shqiptare, madje edhe sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, është përcaktuar qartë dhe prerazi respekti dhe konsiderata për integritetin, identitetin dhe kulturën e tjetrit dhe se këto janë aspekte të kodifikuara, të cilat shqiptarët i respektojnë deri në tabu e shenjtëri. Në këtë kontekst, shtoi ai, shqiptarët, për shekuj me radhë, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, i kanë ruajtur, trajtuar dhe respektuar me fanatizëm objektet e kultit religjioz të të gjitha bashkësive fetare dhe etnike.

Ministri Beqiri tha se, përkundër vullnetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për koordinimin e veprimeve për ruajtjen dhe rindërtimin e trashëgimisë religjioze ortodokse, është i çuditshëm qëndrimi refuzues i krerëve të Kishës Ortodokse Serbe për bashkëpunim me MKRS-në në projektet e kësaj ministrie për ndërhyrje profesionale në objektet e ndryshme religjioze. Për më tepër, tha ai, në disa tërësi religjioze ortodokse ka ndërhyrje të paligjshme dhe joprofesionale, si p.sh. tash së voni në Patriarkanën e Pejës, ku është ngjyrosur me ngjyrë të kuqe fasada e kësaj kishe. Ky veprim është vlerësuar si skandal nga organizmat dhe mediumet ndërkombëtare dhe nga Ministria së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Me angazhimin e saj konkret, përmes fondeve të veçanta dhe masave tjera adekuate, Qeveria e Kosovës ka demonstruar reagimin e saj të menjëhershëm për ruajtjen, mbrojtjen dhe rindërtimin e tërësisë religjioze ortodokse, tha Ministri Valton Beqiri, duke shtuar se si rezultat i veprimit energjik të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, deri tani kanë përfunduar mbi 80% të punëve për rindërtimin dhe restaurimin e kishave dhe manastireve ortodokse, ndërkohë që janë në përmbyllje e sipër të gjitha zotimet e marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për rindërtimin e plotë të kësaj trashëgimie religjioze dhe kulturore me vlera të veçanta për trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Faktet konkrete, të cilat po ua paraqesim sot, shtoi ai, flasin qartë për përkushtimin dhe vendosmërinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të vetë Qeverisë së Republikës së Kosovës për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e tërësive religjioze ortodokse si pjesë e pasurisë dhe trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Në përmbyllje të paraqitjes së tij, Ministri Valton Beqiri tha se, tashmë, si kurorëzim i përpjekjeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, është themeluar Forumi për Trashëgiminë Kulturore, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, duke shtuar se gjatë vitit 2009 do të përmbyllen të gjitha projektet për rindërtimin e kishave dhe manastireve ortodokse serbe të Kosovës.

Ndonëse buxheti i planifikuar për rindërtimin dhe restaurimin e trashëgimisë religjioze ortodokse serbe të Kosovës ka qenë vetëm 3.5 milionë Euro, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës deri tash për këtë qëllim ka investuar mbi 5.5 milionë Euro.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›