Beqiri: PDK-në nuk e kemi në hartën e koalicioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës as që e ka në hartën e saj të koalicioneve apo të bashkëqeverisjes Partinë Demokratike të Kosovës pasi përvoja ishte e hidhur kur këto dy parti bashkëqeverisnin. Kështu ka thënë sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri pas ceremonisë së kalimit të degës së LDD-së në Fushë Kosovë në atë të LDK-së.
Koalicioni me PDK-në, sipas Beqiri, mund të ndodh, siç është shprehur “veç mos paçim asnjë rrugëdalje”.
Ai është i bindur se LDK-ja ka rrugëdalje tjera në këtë drejtim, duke shtuar se nuk mund të bëhet koalicion me të keqën. Madje, Beqiri ka thënë se LDK-ja nuk e ka fare PDK-në në hartën e koalicioneve.
“Siç thotë populli ‘veç mos paçim asnjë rrugëdalje’. E unë besoj që do të kemi rrugëdalje që të mos qeverisim me PDK-në. Bashkë nuk kemi asnjë arsye. Përvoja nuk është e mirë me ta dhe këtij vendi i duhet alternativa dhe LDK-ja mendoj se e ka fuqinë edhe t’i fitojë zgjedhjet... Prioriteti ynë nuk është Partia Demokratike e Kovës, kjo është e sigurt... Me të keqën nuk mundesh me lidh koalicion. Unë po jam shumë i drejtpërdrejtë. Unë mendoj se nuk është vetëm LDK-ja dhe PDK-ja këtu, por mbi të gjitha është LDK-ja dhe të tjerët. PDK-në nuk e kemi në hartë”, ka thënë ai, raporton KP.
Beqiri duke folur për kthimin e LDD-së në “shtëpinë e vjetër”, ka deklaruar se të gjithë ata që e ndjejnë veten se frymojnë me frymën “Rugoviane” do të bashkohen, duke shtuar se nuk është qëllimi i LDK-së që ta marrë qeverisjen sa është që ta largojë keqqeverisjen, duke e quajtur kryeministrin Thaçi si “instalues të logjikës së korrupsionit”./Indeksonline/