Turqi: Nuk do të sulmohen pjesëtarët e PPK-së në tërheqje

Zyrtarë të lartë të Turqisë thonë se forcat turke do të tregojnë përmbajtje gjatë tërheqjes së kryengritësve kurdë muajin e ardhshëm.
Partia Punëtore e Kurdistanit (PPK) ka shpallur dje se do ta filloj tërheqjen nga Turqia, në bazat e tyre në pjesën veriore të Irakut, më 8 Maj.
Një lider lokal i lëvizjes kryengritëse i ka tërhequr vërejtjen Turqisë, që të mos i sulmoj pjesëtarët e PPK-së gjatë tërheqjes, pasi kjo mund ta shkatërroj procesin paqësor, transmeton Rel.
Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bulent Arinc, tha sot në Televizionin e Turqisë, se ushtria do të veproj me “kujdes të madh” gjatë tërheqjes.
Kjo tërheqje po bëhet pasi lideri i burgosur i PPK-së, Abdullah Ocalan, në muajin mars urdhëroi armëpushim dhe çarmatosje të grupit.
Duke qenë parti jashtë ligjit në Turqi, PPK-ja e ka udhëhequr kryengritjen në pjesën juglindore të dominuar nga kurdët, prej vitit 1984.
Nga ky konflikt janë vrarë afro 40 mijë njerëz./Indeksonline/