Beqiri bën prapakthehu: Qëndroj tek Elbasani
Elbasani zgjidh edhe ngërçin e fundit, atë që lidhej me të ardhmen e Ardit Beqirit. Verdheblutë rrezikonin të humbitnin shërbimet e ish-kapitenit të Partizanit për pjesën e mbetur të sezonit. Lojtari ishte shprehur i pakënaqur për trajtimin financiar dhe kërcënoi me largim, nëse kontrata e tij nuk rishikohej. Për të sheshuar problemet ka menduar kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdiu. Pasi është takuar me mbrojtësin, ai ra dakord t‘i përmirësonte kontratën, duke mos lejuar që kontingjenti i Mirel Josës të humbiste një lojtar mjaft të rëndësishëm. "Edhe më parë kisha deklaruar se nuk dëshiroja të largohesha nga Elbasani, por se kërkoja rishikimin e termave financiarë. Tashmë mund të them se do vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre", deklaroi Beqiri, pas takimit me krerët verdheblu. "Zhvillova një bisedë me krerët e klubit dhe gjithçka ka shkuar më së miri. Të dyja palët gjetën zgjidhjen që i kënaq dhe lejon që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tej. Ai që ka ndikuar në qëndrimin tim ka qenë padyshim kryebashkiaku Sejdini, i cili u tregua i gatshëm që të kalohej kjo situatë e pakëndshme". Tashmë lojtari pritet t‘i bashkohet skuadrës në Maqedoni, ku po zhvillohet faza përgatitore. Në këtë merkato, në skuadër janë afruar Dede, Pema, Mengelevski, Qorri, Gjyla e Kuçi, ndërkohë që pritet edhe Nikola Karçev.