E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani, Albert Xhani premton shlyerje në fillim të javës dhe largohet drejt Greqisë

Albert Xhani vazhdon të driblojë Partizanin. Edhe pse ka përballë futbollistë profesionistë, presidenti i të kuqve ka arritur që të fitojë edhe pak kohë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Pasi ka bërë deklarata deri diku tallëse, si: "Partizani po vuan pasojat e krizës globale", apo "nuk i jap llogari askujt për afatin e shlyerjes së detyrimeve financiare, por po punojmë të zgjidhim situatën financiare me lojtarët", ai është rikthyer në Greqi. Gjatë ditëve që qëndroi në Tiranë, kreu i kryeqytetasve nuk e mori asnjëherë mundimin që të paraqitej në ambientet e klubit. Kjo, pavarësisht faktit se futbollistët kishin përcaktuar fundjavën si afatin përfundimtar që të paguheshin. Ky "kërcënim" nuk ka ndikuar për të ndryshuar situatën, madje as të bindte Xhanin që të bënte një takim me skuadrën, të paktën për t‘i qetësuar. Neglizhenca shkaktoi "firot" e para, ku nga kontingjenti i Shpëtim Duros u larguan Rrahman Hallaçi, i kërkuar nga Dinamo e Tirana dhe Kalari. Gjatë ditës së djeshme skuadra ka dalë e plotë në stërvitje dhe duket se lojtarët e harruan ultimatumin. Kjo edhe për shkak të premtimeve të presidentit Xhani, se në fillim të javës së ardhshme do t‘u japë lojtarëve shifrat që u detyrohet. Pas këtij sihariqi, ai është rikthyer në Greqi, ndërkohë që lojtarët janë qetësuar... të paktën edhe për pak ditë.

Por, nëse lojtarët vazhdojnë të stërviten pa u paguar, tifozët nuk janë aspak të qetë për të ardhmen e skuadrës. Në forumet e tyre, mbështetësit e kuq vazhdojnë të shprehen kundër kreut të klubit dhe u tremben të tjera largimeve. Goditja më e rëndë do të ishte ikja e portierit Orges Shehi, i cili mban edhe shiritin e kapitenit. Përveç parullave kundër Xhanit, tifozët kanë filluar të mendojnë edhe një peticion me firma, ku të kërkojnë largimin e presidentit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›