Edhe Leçe në garën për Bogdanin
Erjon Bogdani dhe Kievo. Në këtë merkato dimri vazhdojnë të forcohen zërat që flasin se rrugët e tyre do të ndahen. Emri i sulmuesit të kombëtares vazhdon të lakohet nga skuadra të shumta dhe e interesuara më e fundit është Leçe. Klubi që renditet i treti nga fundi në Serinë A synon të përforcohet: reparti që ka më tepër nevojë për riparime është ai ofensiv, pasi puliezët kanë një prej sulmeve më të këqija të kampionatit. Drejtuesit verdhekuq synojnë të largojnë Simone Tiribokin, për të cilin interesohen shumë skuadra, ndërkohë që përveç Bogdanit, si alternativë shihet edhe Karaçolo i Breshias. Leçe është skuadra e radhës nga Seria A që mendon të afrojë Bogdanin, pas Palermos, Bolonjës dhe Rexhinës. Megjithatë, nëse nuk vjen ndonjë ofertë e kënaqshme, 31-vjeçari preferon të mos largohet nga Kievo. Kjo, pavarësisht faktit se ai nuk cilësohet si zgjedhje e parë nga trajneri Di Karlo. Edhe për ndeshjen e radhës, ku sot në Verona do të mbërrijë Napoli, kuqeziu nuk do të jetë në formacionin titullar. Gjatë javës, Bogdani ishte aktivizuar me skuadrën e parë, por sipas mediave italiane, Kievo do t‘i besojë edhe një herë dyshes Espozito-Pelisier.