Beqja: Berisha kreu i kontrabandës së naftës

Partia Socialiste ka akuzuar sërish sot kryeministrin Sali Berisha si drejtues të kontrabandës së naftës “virgin” në Shqipëri.
Në një deklaratë për shtyp, deputeti Ilir Beqja ka deklaruar se me futjen në treg të naftës së papërpunuar, kryeministri dhe “banda” e tij kanë dëmtuar shëndetin e shqiptarëve.
“Ndërkohë që Saliu dhe Luli pasuroheshin, qytetarët paguanin për riparimin e makinave të tyre. Janë 50 mijë tonë helm që i janë hedhur ambjentit dhe që kanë hyrë në shëndetin e çdo shqiptari”, ka deklaruar Beqja.
Sipas tij, kjo kontrabandë është pjesë e aktivitetit grabitës të kryeministrit, që s`ndalet para asgjëje për të ruajtur pushtetin.
“Saliu nuk ndalet para asgjëje për pasurimin e familjes dhe qeverisë së tij. Ai vret për të ruajtur pushtetin. Por kurrë nuk do të lejohen më të vjedhin. E vetmja shpresë për largimin e kësaj bande është PS”, ka shtuar Beqja.