Kundërshtarët e Ramës në zyrën e Ylli Bufit
Dje pasdite, disa anëtarë të Asamblesë Kombëtare, deputetë, anëtarë kryesie janë mbledhur në një nga zyrat e kryesisë së Kuvendit, ku kanë hartuar dhe kanë firmosur një promemorie, e cila kërkon vajtjen e grupit parlamentar socialist në Kuvend dhe mosbojkotin e tij. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello, Ylli Bufi, Andis Harasani, Pilo Kerri, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri, Maqo Lakrori, Luan Hajdaraga, Elmaz Sherifi, Flamur Hoxha, Rrapush Tola, Rajmonda Stefa etj., kanë hedhur të parët firmat në këtë kërkesë që do t’i paraqitet sot Asamblesë Kombëtare të socialistëve. Në qendër të shqetësimit të këtij grupi anëtarësh të Asamblesë, numri i të cilëve pritet të shtohet edhe para nisjes së mbledhjes, është qëndrimi ndaj parlamentit të ardhshëm. Ata janë shprehur hapur se vendi i PS-së është në Parlament, aty ku duhet bërë oponenca e qeverisë. Sipas tyre, përndryshe, PS-ja del nga profili i saj evropian dhe kthehet në një imituese të PD-së të kohëve të shkuara. Kishte ditë që anëtarë të kryesisë socialiste dhe të grupit parlamentar socialist, përmes komunikimeve në media, kishin shprehur kundërshtitë e tyre për qëndrimin e drejtuesve të PS-së ndaj rezultatit të zgjedhjeve dhe kërkuan që ajo të lexojë dhe njohë me kurajo atë. Përmes analizave të bëra, ata kanë adresuar kritikat e tyre ndaj kreut socialist Edi Rama, të cilin e kanë cilësuar si përgjegjësin kryesor të humbjes së PS-së në këto zgjedhje, për shkak të personalizimit të fushatës, por dhe të gjithë procesit të kualifikimit të kandidaturave. Gjithashtu përgjegjësia mbi kreun socialist rëndon edhe për faktin se ai është lënë i lirë dhe pa pengesa në PS, për të çuar deri në fund idenë e projektit të tij për një politikë të re dhe “një bashkim përtej të majtës dhe të djathtës”.