Beqja: Prifti gënjen, vetëm 1 miliard lekë për rritjen e dritave
Partia Socialiste e akuzoi dje me dokumente, ministrin e Energjetikës si gënjeshtar. Debati i fundit, për rritjen e çmimit të energjisë, detyroi dje deputetin e PS, Ilir Beqja, të tregojë dokumentin zyrtar të qeverisë shqiptare për të përgënjeshtruar ministrin e Ekonomisë. Një ditë më parë, Dritan Prifti, deklaroi se në buxhet ishin parashikuar 2 miliardë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të dritave nga ERE për familjet në nevojë. Por sipas dokumenteve të PS, në buxhetin e Qeverisë janë shkruar e zeza mbi të bardhë, vetëm 1 miliard lekë fond. “Dje (dy ditë më parë) ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi botërisht se ia ka futur kot kur bënte opozitë. Por, për fat të keq, zoti Prifti u dëshmoi po botërisht shqiptarëve se vazhdon t’ia fusë kot edhe kur flet si ministër me stemën e qeverisë pas vetes. Ministri Prifti deklaroi se për të zbutur pasojat sociale nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në projektbuxhetin e vitit 2010 janë parashikuar 2 miliardë lekë kontingjencë. Ministri ynë i Ekonomisë përsëri ia fut kot, sepse për kompensimin e energjisë elektrike në projektbuxhetin e vitit 2010 ka vetëm 1 miliard lekë”. Sipas deputetit të PS, në vazhdën e kontestimeve të deklaratave të ministrit Prifti, mund të përmenden edhe uljet e humbjeve, apo faturimi aforfe. “Ministri Prifti deklaroi se janë ulur humbjet, por kushdo mund të shohë çfarë thotë Instituti i Statistikave për humbjet në rrjetin e energjisë në 6 muajt e parë të vitit 2009. Aty dëshmohet se humbjet janë 8 % më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Ministri Prifti deklaroi se matësit do të instalohen në fund të vitit 2010, por Prifti harroi të tregojë se shefi i tij, Sali Berisha, pati premtuar se matësit do të instaloheshin deri në fund të vitit 2006. Ndërkohë, ministri Prifti neglizhon vendimin e ERE-s që faturimi aforfe do të mbarojë në vitin 2009.”
Duke u ndalur te çmimi i energjisë, Ilir Beqja, i ka kërkuar ministrit të Ekonomisë të japë shpjegime pse KESH dhe OST, që varen nga shteti kanë kërkuar rritje të çmimit të energjisë. “Ajo që ministri Prifti nuk u shpjegoi dje është pse KESH, kompani publike nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, ka kërkuar rritje të çmimit të prodhimit me 56 për qind. Ajo që ministri Prifti nuk shpjegoi dje është pse OST, kompani publike nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, ka kërkuar rritje të çmimit të transmetimit me 80 për qind”.