E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, ligj për shitjen me ankand të trojeve publike

 

ADI SHKEMBI

Qeveria do të amendojë ligjin e vitit 1994 për shitjen e trojeve publike. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit, ligji i vjetër do të amendohet për t’i dhënë të drejtë qeverisë të përdorë në mënyrë më eficente këtë kategori trojesh në qytetet ku ka plan urbanistik. Duke iu referuar tokës në qendër të Tiranës, e cila u kthye edhe në ‘mollë sherri’ mes qeverisë dhe bashkisë për pronësinë, Kryeministri tha se tokat publike do të shiten për metër katror ndërtimi.
Berisha
Qeveria miratoi dje projektligjin për caktimin e fondit të kompensimit të pronave. Sipas kreut të qeverisë forma e kompensimit me vlerën e tregut, e zgjedhur për ish pronarët, është më e kushtueshmja, por Berisha theksoi se ai është një detyrim kushtetues. “Në përputhje me Kushtetutën e vendit, por edhe parimet programatike të nderimeve tona ndaj çështjes së pronës, kemi përzgjedhur formën më të ndershme, më të kushtueshme dhe më të vështirë të kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut. Kjo është një faturë shumë e madhe, e cila ka dinamizmin e saj nga viti në vit, sepse i tillë është dinamizmi i vlerës së tregut. Por ky është një detyrim madhor kushtetues dhe moral i maxhorancës sonë ndaj atyre që në mënyrën më të padrejtë e më klasore iu morën pronat dhe u shpronësuan”, tha kryeministri. Për t’i hapur rrugë krijimit të fondit për kompensimin, qeveria do të amendojë ligjin e vitit 1994, i cili në fakt e ndalon atë të shesë trojet publike, por që siç tha edhe Berisha e ndalon pikërisht për t’i ardhur në ndihmë kompensimit të pronarëve. Kreu i ekzekutivit theksoi se mënyra që do të përdoret për shitjen e këtyre trojeve do të jetë ajo përmes ankandit, ndërkohë që këto troje publike do të vlerësohen për metër katror ndërtimi, çka rrit ndjeshëm vlerën e tokës dhe fondin për ish pronarët. “Pra, ligji është në funksion, pikërisht, të procesit të kompensimit të pronarëve, çka do të thotë që me një amendim të lehtë të tij, për ta qartësuar, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficente për kompensimin e pronarëve. P.sh për qendrën e Tiranës. Ankandi duhet të jetë për metër katror ndërtimi, sepse kështu arrihet vlera më maksimale, natyrisht në përputhje me urbanistikën e qytetit”, u shpreh më tej Berisha. Por sipas Kryeministrit, trojet publike do të shiten nga qeveria vetëm në qytetet ku ka plan urbanistik dhe ndërtimi në ato zona do të bëhet përmes planit. “Në përputhje me planin urbanistik, ne duhet të gjejmë mënyrën e fitimit maksimal dhe kjo e tëra do të shkojë në fondin e kompensimit të pronarëve. Por si ky rast mund të ketë edhe raste të tjera analoge, për të cilat qeveria duhet të autorizohet me ligj, të procedojë”, tha më tej Berisha. Shitja e trojeve publike përmes ankandit do të rrisë buxhetin e qeverisë për ish pronarët, ndërkohë që pak kohë më parë Parlamenti miratoi ligjin, sipas të cilit për çdo privatizim që bëhej, 20% e vlerës kalonte në buxhetin e kësaj shtrese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›