Beqja: “Qeveria asnjë masë për të përballuar frenimin e ekonomisë”
Nënsekretari për Programin Politik të Partisë Socialiste, Ilir Beqja, kritikon rënien ekonomike të vendit dhe indiferencën e qeverisë së djathtë. Në një deklaratë për shtyp Beqja ka bërë të ditur se zhvillimet e fundit ekonomike në vend janë pesimiste. “Të dhënat paraprake të 11-mujorit tregojnë qartë që në dy muajt e fundit zhvillimet e ekonomisë janë pesimiste. Ka dy muaj që eksportet e mineraleve janë stopuar. Ndërmarrjet që punojnë në metalurgji kanë njoftuar punëtorët se do të ndërpresin prodhimin. Numri i sipërmarrjeve që janë në proces likuidimi është rritur gjithashtu. Sektori bankar ka ngrirë kreditimin prej dy muajsh”, - ka bërë të ditur Beqja. Ai gjithashtu ka kritikuar faktin që qeveria ende nuk ka hartuar asnjë plan antikrizë. “Me të njëjtën mendjelehtësi si para 12 vjetësh, qeveria e drejtuar nga kryeministri më i paaftë i 17 viteve të fundit nuk parashikoi asnjë masë antikrizë në buxhetin e vitit 2009, me gjithë insistimin e Partisë Socialiste”, - është shprehur Beqja.
4 Dhjetor 2008