E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet dilema, Bojaxhi përballë Mustafajt për PD-në e Tiranës

Bojaxhi ka nisur procesin e promovimit mediatik. Mustafaj, i vetmi kandidat zyrtar për postin e kreut të PD-së

Ashtu sikurse ishte bërë e ditur kohë më parë nga burime brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, drejtori i Përgjithshëm i Koorporatës Energjetike Shqiptare, Gjergji Bojaxhi, do të jetë rivali i Besnik Mustafajt për postin e kryetarit të Degës së PD-së në Tiranë. Ditët e fundit, Bojaxhi ka nisur një proces promovimi në media të ndryshme televizive. Megjithëse nuk pranon ende të prononcohet për gazetat, Bojaxhi ka nënkuptuar tashmë se do të jetë kandidat për postin e kryetarit të PD-së së kryeqytetit. Madje, burime kanë bërë të ditur se Bojaxhi gjatë kësaj periudhe ka studiuar mundësitë që ai ka për të fituar këtë post deri në marrjen e vendimit përfundimtar për të garuar. Por gjatë kësaj periudhe, edhe kandidati tjetër për këtë post, ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, ka bërë të ditur se është duke hartuar një platformë të detajuar se çfarë synon të ndryshojë në selinë blu të kryeqytetasve. Megjithëse deri tani asgjë nuk është bërë publike, ajo që dihet është që Mustafaj prej kohësh po përgatit terrenin për të fituar këtë post.
Mustafaj
Duket se beteja midis dy kandidatëve për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës nuk do të jetë aspak e lehtë. Nga njëra anë ndodhet Besnik Mustafaj, i cili njihet si një figurë me kontribute të hershme në Partinë Demokratike dhe si një politikan karriere. Ai e ka nisur karrierën e tij që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike, duke qenë së pari pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit. Në 17 vitet e pluralizmit, Mustafaj ka qenë në krah të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në çdo ulje-ngritje, në çdo humbje apo fitore të Partisë Demokratike. Në vitet e para të qeverisjes së PD-së, Mustafaj ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Francë. Më pas ai është zgjedhur në dy legjislatura deputet i kësaj partie. Së fundmi, Mustafaj mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme nga i cili dha dorëheqjen rreth një vit më parë. Megjithëse Mustafaj nuk bëri publike arsyen e vërtetë të dorëheqjes, u bë e qartë se shkak ishte përplasja e tij me kryeministrin Berisha. Madje, Mustafaj ka bërë të ditur për mediat se nuk është konsultuar me kryetarin e PD-së për të kandiduar për postin e kreut të PD-së së Tiranës, por vetëm me statutin e partisë. Kjo deklaratë tregon qartë se marrëdhëniet e Mustafajt me Berishën nuk janë “të shkëlqyera”. Ndërkohë, dihet qartë se vendimi i Berishës, veçanërisht për poste drejtuese në PD, vazhdon të jetë i padiskutueshëm. Megjithatë, Mustafaj ka treguar publikisht se është një zë kritik brenda PD-së dhe se synon të sjellë ndryshim në selinë blu.
Bojaxhi
Nga ana tjetër, Gjergji Bojaxhi është një figurë e re në fushën e politikës. Ai njihet si ish-zëvendësministër i Energjetikës, ndërsa aktualisht mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it. Bojaxhi është bashkuar në radhët e PD-së me krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave ndërkohë që përfaqëson këtë parti edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kryesisht, Bojaxhi ka mbajtur funksione menaxhuese, jo me natyrë politike. Pra është një figurë e pakonsumuar politikisht dhe pritet të gëzojë mbështetje në radhët e anëtarësisë së PD-së. Por burimet theksojnë se Bojaxhi aktualisht gëzon mbështetje të drejtuesve kryesorë të partisë. Megjithëse flitet për demokraci të brendshme brenda PD-së, dihet tashmë se mbështetja e “parisë” është e domosdoshme në situata të tilla, siç është fushata zgjedhore për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Pritet që fillimi i vitit të ardhshëm të qartësojë më tej piketat e kësaj fushate, që flitet se do të jetë e ashpër në PD.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›