E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza te Tirana, donatorët si “ujqër” kundër njëri-tjetrit



Situata te Tirana është në kaos të plotë. Akuza të ndërsjella midis katërshes së donatoreve. Kryedonatori i këtij sezoni, Refik Halili, sulmoi në të përditshmen sportive “Sporti Shqiptar” donatorin tjetër Agron Papuli në lidhje me mënyrën se si ky i fundit po sillet ndaj bardhebluve. Në arkat e 23-herë kampionëve derdhen çdo vit 1 miliard lekë të vjetra, ku secili nga katër donatorët paguan një shumë prej 250 milionë lekësh.
NURI – Një nga mbështetësit e vjetër të Tiranës, Lutfi Nuri, në emër të familjes Nuri dhe të vëllait të tij Avni Nuri (ky njihet zyrtarisht si donator) doli hapur kundër Refik Halilit. “Nuri (Avniu) është tërhequr prej kohësh nga skuadra. Ka vendosur të financojë ekipin kur t’i vijë radha e tij si president. Në radhët tona ka pasur kontradikta. Unë kam derdhur para për Tiranën që nga viti 1991 dhe jo nga viti 2004. Halili është i vetëzgjedhur”.
HALILI – Presidenti me rrotacion Refik Halili është treguar mjaft i ashpër, madje edhe ka kaluar në kërcënim, duke u kërkuar donatorëve të tjerë ose të respektojnë kontratën, ose të deklarojnë se nuk janë më pjesë e Tiranës, duke synuar hapjen e rrugës për njerëz të tjerë që janë të interesuar të financojnë për klubin me më shumë trofe në vend.
PAPULI – Kryedonatori Refik Halili foli për ekzistencën e “një kali Troje” brenda klubit, teksa hodhi edhe idenë e largimit të atyre që vendosin “shkopinj në rrota”. Nuk e vendos Ridi se kush duhet të hapë krahun, kur dhe si, - është shprehur Agron Papuli. “Nuk është e vërtetë që nuk kam financuar. Kam dhënë një fond në fillim të sezonit e më pas jam ndier i aneksuar dhe tërësisht jashtë operacioneve të merkatos”.
GJINI – Sekretari i klubit, Edi Gjini, (i vendosur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës) ishte një ndër të sulmuarit e Refik Halilit. Por, ai ka zgjedhur për momentin të heshtte, duke kërkuar kohë.
HESHTJE – Tirana është prej dy javësh në heshtje shtypi, por tashmë vendimi është marrë zyrtarisht nga drejtuesit e saj, kjo sipas një kërkese specifike të trajnerit Blazh Slishkoviç, i cili vazhdon të këmbëngulë se shtypi ka pjesën e tij të fajit në rezultatet e dobëta të bardhebluve.

KUPA
Tirana do të përballet në Kupën e Shqipërisë me Lushnjën, në shtëpinë e kësaj të fundit. Në ndeshjen e fundit në kampionat, Tirana fitoi 1-0 falë autogolit të Laert Ndonit. Në vijën e parë rikthehet Migen Memelli, por ende kanë probleme Devi Mukaj e Bledar Devolli.

“Syri i Shoshit”, sot vendimi

Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Ilir Shulku, ka dënuar dhunën ndaj futbollistit të Apolonisë, Maringlen Shoshi, i çarë keq në sy nga një gur i hedhur nga një tifoz i Lushnjës, duke theksuar se incidenti do të kalojë në sitën e Komisionit e Disiplinës. “FSHF-ja do t’i luftojë gjithnjë aktet e dhunshme”, - tha Shulku. Lushnja-Apolonia (3-1), ndeshje e vlefshme për javën e 13-të u shoqërua me incidente, ku kulmi arriti me dëmtimin e Shoshit. Stafi i Apolonisë kërkoi pikët në tavolinë.

Teuta harron Tiranën, në Kupë e pret Vllaznia

Teuta së bashku me Vllazninë janë dy skuadrat e momentit, por që e mërkura i vendos përballë njëra-tjetrës në Kupën e Shqipërisë. Të shtunën e kaluar, skuadra durrsake fitoi 2-1 me Tiranën, falë dy kryeveprave të Emiliano Vilës. Starova dëshiron që lojtaret e tij të jenë me këmbë në tokë: “Jemi ekip i ri. Ndeshja me Tiranën është lënë pas. Na presin Vllaznia në Kupën e Shqipërisë e më pas Shkumbini në kampionat”. Kapiteni Genti Gjondeda: “Ne kemi pretenduar zonën UEFA, por tani kërkojmë më shumë. Ndeshjet kanë treguar se jemi ndër ekipet më të mira në këtë sezon. Vllaznia? Është rivali ynë direkt. Jemi përgatitur seriozisht”. Në ndeshen e Kupës do të mungojë mbrojtësi Henri Ndreka, i dëmtuar gjatë ndeshjes kundër Tiranës. Lezhjani ka dëmtuar meniskun dhe sipas parashikimeve do të kthehet në pjesën e dytë të sezonit. Vllaznia është në përgatitjet e fundit për ndeshjen kundër Teutës, por ajo është përfshirë nga disa dëmtime, ku spikasin ato të Licit, Dhëmbit, Sinanit, Grimas e Kaçit. Të gjithë këta futbollistë e kanë të pamundur të luajnë kundër Teutës në Kupën e Shqipërisë në “Niko Dovana”. Portieri Grima është shprehur se nuk do të largohet nga futbolli pa fituar edhe një titull të tretë me shkodranët, që tashmë kryesojnë kampionatin. Grima më parë është shpallur kampion në sezonet 1991-1992 dhe 1997-1998.

Kupa e Shqipërisë, sot turi i dytë

Kupa e Shqipërisë do të zhvillojë sot ndeshjet e para të turit të dytë të saj, ose 1/16-at. Në Grupin A ballafaqimi më interesant është ai midis Teutës e Vllaznisë, ndërsa në atë B, derbi që spikat më shumë është ai midis Bylisit e Flamurtarit.

KUPA E SHQIPËRISË
TURI I DYTË

GRUPI A
Skënderbeu-Dinamo
Kastrioti-Besa
Apolonia-Shkumbini
Teuta-Vllaznia

GRUPI B
Burreli-Partizani
Besëlidhja-Elbasani
Lushnja-Tirana
Bylis-Flamurtari

3 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›