E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Shkupi, konsulta me shqiptarët për maqedonishten

 BLEDAR HOTIVendimi i qeverisë së Maqedonisë për të përfshirë si të detyrueshme arsimin në gjuhën maqedonase duhej të ishte marrë në konsultim paraprak me partitë politike shqiptare. Kjo ka qenë deklarata e kryediplomatit shqiptar Ilir Meta pas takimit që pati me homologun maqedonas Antonio Miloshoski. "është shumë e rëndësishme që për shkak të atyre sensibiliteteve që ekzistojnë në vendet tona, të ndërmerret një konsultim dhe dialog me komunitetet. Në rastin konkret, një mirëkuptim edhe me forcat politike shqiptare. Natyrisht edhe një mirëkuptim me OSBE-në, e cila ka qenë dhe është e angazhuar për këtë çështje, por edhe në çështje të tjera. Ne këtu në Ballkan duhet t'i mësojmë më shumë gjuhët e njëri-tjetrit, sepse edhe z. Miloshoski mund ta fliste edhe më mirë shqipen duke qenë se ka lindur në Tetovë. Megjithatë kjo nuk na pengon që të mirëkuptohemi në mënyrë të shkëlqyer", tha zv.kryeministri Meta. Ndërsa Miloshoski në lidhje me këtë çështje deklaroi se "në kontaktet tona me OSBE-në, kemi menduar dhe propozuar njëkohësisht që këtyre komuniteteve në shkollat tona dhe në qendrat tona arsimore, t'u krijohet mundësia për të mësuar edhe gjuhën shtetërore, gjuhën zyrtare të atij shteti. Kjo do të jetë dhe për të mirën e këtyre shtetasve, pra të qytetarëve që do të mësojnë gjuhën zyrtare të vendit ku jetojnë". "Por ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin se në disa raste edhe projektet në fushën arsimore ndikohen nga debatet politike. Kështu që ne do të mundohemi së afërmi që këto debate politike të kanalizohen nëpërmjet dialogut institucional. Por unë do të shtoja që ne jemi të kënaqur me përfshirjen korrekte dhe aktive të partive shqiptare në Maqedoni në këtë drejtim", tha më pas kryediplomati maqedonas. Një temë tjetër e prekur ka qenë edhe çështja e heqjes së simboleve shqiptare nga ana e bashkisë së Shkupit. Për Miloshoskin ky projekt ka vlera urbanistike dhe arkitekturale,pra nuk ka të bëjë me çështjet etnike. Ndërsa Meta theksoi se "duke falënderuar kolegun tim zotin Miloshoski për këtë vizitë e cila përkon me fillimin e vitit, dhe për respektin që tregoi për ju dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë duke bërë dhe një vlerësim të dy vendeve në gjuhën shqipe, edhe unë kam besim se forca jonë qëndron sot tek toleranca. Kjo na bashkon me njëri tjetrin, kjo do të na bashkojë me shpejt edhe me Bashkimin Evropian".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›