E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Çdo shqiptar ka 2,300 USD borxhe për faj të Berishës

Partia Socialiste i përgjigjet Kryeministrit Berisha për shifrat ekonomike duke ma-rrë si argument të parë rritjen e borxhit publik.

Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, reagoi dje duke deklaruar se çdo shqiptar po trashëgon sot 2 300 dollarë borxh nga Qeveria e Sali Berishës. Sipas tij, në total borxhi ka arritur shifra alarmante, në 7.3 miliardë dollarë dhe po vijon të rritet. "Borxhi publik i Shqipërisë vazhdon të rritet. Aktualisht, niveli i borxhit ka kapur shifra marramendëse, të paimagjinueshme për vende si i yni; plot 7,3 miliardë dollarë. Secili prej nesh, çdo shqiptar, ka sot një borxh prej 2,300 dollarësh. Madje, edhe çdo fëmijë që lind këtë vit, që ditën e parë të jetës trashëgon një borxh nga Qeveria Berisha, prej 2,300 dollarë", - tha Beqja. I pyetur më tej nga media në lidhje me këtë borxh, deputeti i PS-së dha tri arsye për rritjen e tij. "Së pari, borxhi rritet së tepërmi nga paaftësia e Qeverisë. Duke qenë e paaftë për të siguruar para për investime siç i siguron çdo qeveri në botë, Qeveria shqiptare është detyruar të marrë kredi me interesa tregtare, të cilat janë shumë të shtrenjta dhe ndikojnë në rritjen e borxhit publik. Së dyti, borxhin publik e rrit papërgjegjshmëria e Qeverisë. Janë të shumta rastet kur Qeveria shqiptare ndërmerr investime pa bërë asnjë studim të saktë. Së treti, borxhi rritet nga korrupsioni i Qeverisë", - tha më tej Beqja. Sipas tij, "vetëm në vitin 2010 borxhi publik do të rritet me 480 milionë dollarë të tjera, duke e çuar ekonominë shqiptare drejt një rruge të pasigurt dhe të rrezikshme". Ai foli edhe për shifrat e vizitorëve turistikë të Kryeministrit Berisha, duke thënë se në të vërtetë ka një ulje të turistëve në vendin tonë. "Ju vetë raportoni që operatorët turistike janë të pakënaqur nga volumi i punës që bëjnë dhe janë të pakënaqur nga niveli i të ardhurave të këtij sezoni. Se ku i gjen Kryeministri shifrat e veta optimiste..., le të presim pak javë që statistikat zyrtare t'i kundërshtojnë ato", - tha Beqja. Më tej ai u ndal edhe në shifrat e rritjes së industrisë fasoniste, industrisë që punon me lëndë të porositur si veshmbathje, këpucë etj. Sipas tij, rritja në dy vjet ka qenë vetëm 8 për qind dhe jo 27 për qind, siç pretendon Kryeministri, vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2010. "Para dy javësh, në Këshillin Kombëtar të punës, sipërmarrësit e fasonëve raportuan se kanë humbur 11 mijë vende pune, ndërsa me shifrat që thotë Kryeministri, po të bësh një krahasim me shifrat zyrtare, krahasuar me dy vjet më parë, eksporti i veshmbathjes e këpucëve është rritur me 8%. Ky është vetëm efekti i nënçmimit të Lekut; nëse krahasojmë eksportet e këtij viti me dy vjet më parë, vlera në euro nuk ka lëvizur", - deklaroi deputeti socialist, Ilir Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›