Berat, 4 % e maturantëve rezultojnë mbetës në vitin shkollor 2008-2009
Rreth 4 % e maturantëve në qarkun e Beratit në të tre rrethet Berat, Kuçovë dhe Skrapar rezultojnë të jenë mbetës në këtë vit akademik. Vetëm në qytetin e Beratit, rezulton të jenë mbetës 69 maturantë. Burime jo zyrtare por tepër të sigurta bëjnë me dije se në të gjitha maturat shtetërore të shkollave të fshatit dhe të qytetit numri i nxënësve nëse do të llogaritet me statistika shkon në rreth 4 %, por që ende po punohet për tu gjetur mënyra për uljen e kësaj përqindjeje që vë në dilemë jo vetëm mësimdhënësit për punën e tyre të dobët, por dhe për stafin drejtues të drejtorisë rajonale arsimore të këtij qarku.
Të gjendur në këto kushte, këta nxënës kanë humbur shansin të marrin dëftesën e pjekurisë dhe mundësinë për të vazhduar shkollën e lartë për këtë vit akademik. Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Berat, Yzedin Hima bën me dije se këta nxënës janë mbetës pasi nuk kanë marrë një provim, apo disa prej tyre në këtë vit shkollor janë mbetës edhe në lëndët e klasës. Maturantët, të cilët janë mbetës nuk futen as në provimet D1, D2 që janë provimet e detyrueshme për të marrë dëftesën e pjekurisë dhe më pas për të vazhduar shkollën e lartë. Këtë vit, në të gjithë qarkun e Beratit do ti nënshtrohen provimeve të detyrueshme D1, 1653 nxënës dhe D2 1663 nxënës. Më datë 2 qershor do të jepet provimi në lëndën e letërsisë dhe më 11 qershor ai i matematikës. Këta të fundit duhet ti japin sërisht lëndët mbetëse në fazën e dytë të provimeve që është sezoni i vjeshtës. Nëse nxënësit ngelin qoftë edhe në një provim, nuk mund të hyjnë dot në universitetet publike gjë e cila mundet të shtojë numrin e mbetësve dhe për pasojë edhe numrin si dhe % e mbetësve, ka deklaruar Hima, sipas të cilit, ndryshimet që janë bërë në maturën shtetërore këtë vit janë disa, si përshembull nuk do të ketë më lëvizje të mësuesve nga një rreth në tjetrin, administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore do të monitorohen nga drejtues dhe mësuesit e shkollës. Gjithashtu ka dalë urdhri nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Brendshme për realizimin e maturës shtetërore. Ministria e Brendshme do të bëjë shoqërimin e tezës nga kryeqyteti drejt Drejtorisë Arsimore Rajonale të qytetit të Beratit dhe kjo e fundit do ti shpërndajë këto teza në shkollat përkatëse. Pas dhënies së provimit, do të nisen sërish për në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për korrigjimin e tyre. Ministri i Arsimit, Fatos Beja u ka kërkuar mësuesve një vëmendje maksimale në zbatimin e provimeve si dhe korrektesë dhe profesionalizëm në zhvillimin e provimeve ndërsa ka filluar dhe një trajnim njëjavor i mësuesve për maturat shtetërore.