E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes! Diktatura e Demokracisë po vjen! Mbylli rrugë të marrit, hapi rrugë të aftit!

Nga Genc LLAKAJ
Çdo qytetar, shumë apo pak, është në dijeni të ardhjes së zgjedhjeve politike për në kuvendin e Shqipërisë. Si pasojë, ethet e fushatës elektorale kanë kapur çdo individ, grup interesi apo komuniteti. Palët, të majta a të djathta qofshin, kanë ngjeshur armët dhe janë pothuaj gati të fillojnë garën. Deri këtu, gjithçka është më se normale, të paktën për një demokraci, ku gjithsecili lufton në shërbim të forcës politike te e cila beson. Ajo që nuk tingëllon ëmbël dhe që stonon dukshëm me normat e demokracisë, pikërisht në këto zgjedhje, është amullia brenda forcave politike në klasifikimin e kandidatëve dhe emërimi i tyre nga lartë poshtë, pra, jo nga votuesi te lideri, por nga lideri te votuesi. Kjo gjë, përkthehet kështu: lideri parapërcaktohet, i imponohet zgjedhësit dhe vetemërohet përfaqësues i tij. Një tjetër element negativ i këtyre zgjedhjeve, është mënyra e bërjes së listave brenda partive a koalicioneve të tyre, si dhe  kapërcimet akrobatike qoftë brenda listës së llojit, ashtu edhe ndërmjet listave midis llojeve. Kapërcime të cilat jo pak çuditën votuesin shqiptar. Ato që bënë më shumë bujë dhe që vështirë të kuptohen nga elektorati ynë, janë manovrat e lidershipit të PS-së, Edi Rama, i cili, mesa kuptoj, po e tjerr shumë hollë fillin e situatës dhe, sinqerisht, frikë është të mos e këpusë. Edhe pse ky sistem i sivjetshëm i vjen për shtat, Edi Rama u përpoq të fitojë maksimumin, madje edhe energjinë e amortizimit  të produktit-parti si vlerë të shtuar në fitim të tij dhe lobit që drejton. Por, logjika e ftohtë dhe largpamëse e Ramës, nuk përfundoi thjesht me anën mekanike të zgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve, por i kapërceu caqet e urisë-pushtetare me pengëmbajtjen e besimtarëve të vet deri në sekondat e fundit që ligji lejonte. Kjo strategji u përdor, mendoj, për dy arsye: e para, për të mbajtur lidhur kandidatët nga frika e ndonjë akrobacie të mundshme në krahun kundërshtar dhe e dyta, nga tmerri i moszgjidhjes së ekuacionit të post 28-qershorit. Ekuacion ky, që ashtu si po nuhasim, do të ketë shumë të panjohura këtë herë. Pra, sistemi  i kësaj  filozofie spanjolle, e ideuar ndoshta gjetkë, që lehtësisht i jep energji Edi Ramës, është i lidhur jo vetëm me sistemin proporcional në vetvete (që logjikshëm e  favorizon atë në përballjen me mikro partitë e vogla të së majtës), por edhe me garantimin e pushtetit individual paszgjedhor në rast humbjeje. Pra, logjika është e thjeshtë: sistem që favorizon dy partitë e mëdha, dobëson të voglat dhe në rast balotazhi a mosmundësimi të bërjes së qeverisë, Ne të PS dhe PD koalicion në interes të integrimit evropian. Koalicion që mund të vijë edhe në formën më bajate, siç ishte precedenti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga votat e gjashtë socialistëve dezertorë.
Atëherë, cilat janë armët që Edi Rama do të përdorë për të fituar pushtetin e madh, ekzekutivin dhe, cilat janë armët që ai do të përdorë për të mbajtur pushtetin e vogël të tij, bashkinë?
Arma e parë që e favorizon për të marrë pushtetin qendror, falë edhe ekuacionit djallëzor të kodit zgjedhor, është votimi i detyruar i majtistëve shqiptarë për PS-në sipas listave të eksportuara nga Tirana në çdo qark të vendit. E dyta armë, që, falë mazhorancës votuese shqiptare, qëllon vetëm djathtas, është majtizmi i trashëguar i shqiptarëve. Faktet që Edi dhe Saliu gjenden në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe me krah të fuqishëm respektivisht, Gramoz Ruçin i pari dhe, pushtetin aktual i dyti, janë disa faktorë që sigurisht u japin lidershipave të PS e PD, qysh në nisje të garës, shpejtësinë e 50 kilometrave në orë kur Partitë bebe, parë në parim, nisen nga zeroja.
Le të shohim se çfarë po ndodh. Në listat e PS-s dhe PD-s vërejmë një krehje të dukshme të shumë deputetëve ish. Gjë që nuk më shqetëson aspak. Por ajo që më shqetëson, është shkaku pse u bë kjo krehje. Le të analizojmë së bashku situatën e krijuar.
Dorëheqja e liderit historik të PS-s, z. Fatos Nano, më 2005-ën, sigurisht si gjest demokracie, tolerance dhe vizioni, por që nga Edi Rama u vlerësua si një dobësi politike e Nanos, ishte pikënisja e lojës rama. Kjo eufori e ky delir i mëpasëm i pakontrolluar i Ramës, pak kohë më vonë, pruri në arenën politike shqiptare një eveniment jo të zakontë brenda partisë së tij: shpalljen e një beteje të ftohtë kundër liderit historik Nano. Kështu që, mosmarrëveshjet brenda PS-së u rritën, klanet rivale u kufizuan dukshëm dhe beteja mori ngjyra jo rozë, por blu e rozë. Ashpërsi betejash klanore, brenda PS-së, që çuan deri aty saqë vetë Nano të bashkëpunojë, pa dashur, me Berishën (për interesa madhore) dhe më pas, Rama, nga ana tjetër,  ti japë jo vetëm dorën, por edhe krahun Kryeministrit aktual (kujtojmë këtu kodin zgjedhor, ndryshimet kushtetuese me autorësi PD plus PS). Në këtë kacafytje egosh, konstatojmë një servilizëm apo edhe frikë e të dyve nga kryeministri aktual. Nga ana tjetër, eliminimi ashiqare i njërit prej figurave më të spikatura të partisë demokratike si Besnik Mustafaj, Pal Daici etj, bërë nga Sali Berisha, dukshëm na sjell në kujtesë strategjinë rama ndaj Nanos. Pra, deri në këto çaste, gjithçka po funksiononte sipas thënies popullore: për hir të sime vjehrre do të fle me mullixhinë. Në këtë situatë, ajo që po e pëson mbi kurriz, de-fakto, është PS-ja. Shpartallimi i së cilës u duk jo vetëm në provat-teatrale një anëtar, një votë, dialog me Shqipërinë, ska rëndësi statuti, por edhe së fundmi te listimi i kandidatëve për deputetë etj. Ky listim pruri në logjikën e kthjellët të analizës, dy faktorë: faktorin Nano me prapavijën e tij, qejfmbetjen e ligjshme dhe, faktorin e destabilizimit përfundimtar të raporteve ndërmjet përkrahësve të Ramës dhe ata të Nanos. Ky i fundit mbeti peng i emisionit të Fevziut deri në orën 00.13 të datës 19/05/2009, ditën e martë, kur do të dorëzoheshin listat në KQZ. I betuar nga inati se Rama nuk listoi gjashtë plus shtatëshen e kërkuar nga vet ai, e cilësoi Ramën pervers politik, aleatin e tij të ngushtë Erion Mjaftin pa koncepte dhe Partinë Socialiste të tanishme një gra një gru
Nga e gjithë kjo lojë e padukshme, ata që mbesin jashtë, janë votuesit, të cilët me dashje ose jo, do të votojnë ata kandidatë që liderët respektivë të PD dhe PS-së ju kanë servirur. Ju referova, më tepër, Ramës dhe Partisë Socialiste në këtë analizë, jo për faktin se personalisht ha djathtas ( mos aludoni, as majtas), por për faktin se një nga sloganet e tij në parafushatë ka qenë absurditeti, votuesit do të drejtojnë pushtetin! Duke ditur se, në një demokraci reale, votuesit e ushtrojnë pushtetin e tyre nëpërmjet përfaqësuesit  të deleguar nga vota në Parlament pyetja ime do të ishte: Si do ta drejtojnë pushtetin këta votues kur përfaqësuesit e tyre zgjidhen nga lideri? Mos është shaka e radhës kjo dhe unë jam game-out me arsyetimin tim ?
A nuk ju duket kjo strategji pak e koklavitur e njëkohësisht pak tallëse?
A nuk ju duket kjo lojë e sajuar, nga interesa të mëdha, ku forcohen pozitat e lidershipit brenda partisë përkatëse dhe jetëgjatësia e tij politiko-drejtuese  shkon drejt infinit? A nuk ngjan kjo lojë me sistemin diktatorial ku partia-shtet propozonte e partia-shtet votonte gjithëherësh të njëjtat fytyra për kandidatë e deputetë? Në këto kushte, i bindur që ky sistem proporcional zgjedhor fryn erë diktature dhe u shërben mendërisht vetëm të sëmurëve nga deliri, po i kundërvihem thënies së popullit tim: hapi rrugë të marrit. Jo! Unë them: mbylli rrugë të marrit e hapja inteligjentit!

Last Updated on Wednesday, 27 May 2009 12:24

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›