Milo: E majta do bashkojë njeriun me problemet e tij
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, ka zhvilluar një takim në qytetin e Bulqizës ku u takua me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie. Duke u ndalur në programin e koalicionit për ndryshim, Milo u tha të pranishmëve se e majta do të bashkojë politikën me njeriun dhe problemet e tij.
Kreu i PDS-së kritikoi ashpër segmente të pushtetit me pretendimin se prezantimi i kandidatëve për deputetë të kësaj force nuk është lejuar. Ne jemi bashkë dhe do të jemi gjithmonë bashkë. Ne do të fitojmë së bashku dhe do të ndërtojmë shtetin ligjor dhe demokratik, jo këtë shtet që ju ndalon të vini në mitingjet e opozitës, jo këtë shtet që ju mohon të drejtën themelore, jo këtë shet që ju ka mohuar gjithçka. Veç iu ka dhënë lirinë të vdisni në galeritë e minierës ose ju ka dhënë lirinë të vdisni nga papunësia, ky shtet duhet të marrë fund, theksoi kreu i PDS-së Milo.