Berat, Bashkia nis aksionin për vrasjen e qenve rrugaçë

Bulevardi kryesor i Beratit
BERAT – Bashkia e Beratit nis aksionin për vrasjen e qenve rrugaçë. Prej tri ditësh, pikërisht duke nisur nga 4 tetori, Dita Ndërkombëtare e Kafshëve, ka startuar dhe ky aksion në rrugët e qytetit. Sipas burimeve nga kjo bashki, aksioni ka nisur pas ankesave të qytetarëve për praninë e shumë kafshëve të rrugës nëpër trotuare, në çdo orë të ditës, duke krijuar panik tek ata. Bashkia e qytetit, nisur nga shqetësimet e krijuara, ka miratuar një fond të veçantë për ekzekutimin e qenve të rrugës. “Vrasja e qenve të rrugës do të bëhet nga persona të licencuar dhe që kanë armët e gjahut me leje nga policia. Për çdo qen të vrarë, çdo gjuetar do të paguhet me 10 mijë lekë të vjetër”, pohuan burime nga Bashkia e Beratit. Pas vendimit të Bashkisë, menjëherë ka nisur puna dhe në orët e natës, grupe gjuetarësh dalin në aksion për të eliminuar qentë rrugaçë. Gjuetarët shoqërohen nga Policia Bashkiake, të cilët regjistrojnë numrin dhe më pas i marrin qentë e vrarë për t’i groposur në periferi të qytetit nga punëtorë të angazhuar enkas më këtë punë. Nga ana e Bashkisë deklarohet se fillimisht gjuetia ka nisur në lagjet periferike të Beratit, ku dhe numri është më i madh, e më pas do të vazhdohet drejt qendrës. Sipas tyre, numri i qenve të rrugës ka ardhur duke u shtuar, pasi migrimi nga rrethet e tjera të familjeve drejt Beratit ka bërë që ata të sjellin me vete dhe kafshët e shtëpisë, që më vonë i braktisin. Bashkia kishte 5 vjet që nuk kishte marrë asnjë masë për qentë e rrugës, çka çoi në shtimin e tyre.
Pak muaj më parë, Shoqata e Mbrojtjes së Kafshëve hapi debat me Bashkinë e Përrenjasit për këtë çështje, deri në vendimin e pezullimit të urdhrit të vrasjes së qenve. d.xh
Dita Ndërkombëtare e Kafshëve
Më datë 4 tetor ishte Dita Ndërkombëtare e Kafshëve. Sipas Shoqatës për të Drejtat e Kafshëve në Shqipëri, pikërisht në këtë ditë, nëpër qytete të ndryshme të vendit u mor vendimi për vrasjen e qenve të rrugëve. “Përballë kësaj, për ne është një tjetër betejë e humbur”, shprehen në faqen sociale “Facebook” përfaqësues të Shoqatës.