Gjirokastër, pronarët e një shtëpie muze investojnë për rehabilitimin

Banesa nën rikonstruksion
GJIROKASTER – Qendra e Gjirokastrës muzeale, Qafa e Pazarit, po i nënshtrohet një rehabilitimi gradual që ka në thelb ruajtjen e teknikave të hershme dhe mosdëmtimin e tyre. Në fakt, shkak ka qenë rrënimi i një pjese të mirë të dyshemesë anësore të një prej objekteve që kulmon pikërisht në qendër të Qafës së Pazarit, e cila kërkon një rehabilitim të pjesshëm. E veçanta qëndron në faktin se pronarët e këtij objekti dykatësh, që janë pjesë e komunitetit mysliman në Gjirokastër, nuk kanë pritur shtetin për të rregulluar objektin, por kanë ndërhyrë me kapacitetin e tyre financiar. Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër ka vënë në dispozicion fuqinë punëtore. Për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Spartak Drasa, aksioni për rigjenerimin e një prej fragmenteve më të bukura të kësaj zone do të zgjasë jo më shumë se tri ditë, çka është një kohë e mjaftueshme. Pazari karakteristik në Gjirokastër, deri më sot i është nënshtruar tri rehabilitimeve qysh prej vitit 2006 me fonde qeveritare të akorduara prej këtij viti. Megjithëse janë hedhur 1.2 milion dollarë amerikanë për të rigjeneruar zonën muzeale të Gjirokastrës, qyteti i gurtë ka ndryshuar disi, por jo në atë nivel që pritej. Objekti në fjalë është ndërtuar qysh në shekullin e 19 dhe ka një stil tipik oriental. p.n