Itali, plas bombola e gazit, plagosen rëndë dy shqiptarë

Godina ku ndodhi shpërthimi dje në Itali
ITALI – Shpërthimi i impiantit të një bombole gazi në një familje emigrantësh shqiptarë shkaktoi dje dhjetë të plagosur në Itali. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të së dielës, në një godinë ku banojnë 15 familje, në Formia të Romës, në kryeqytetin e Italisë. Sipas mediave italiane, nga shpërthimi kanë pësuar dëmtime tri apartamente, kurse dy prej tyre u bënë të pabanueshme. Mes personave të plagosur është një mashkull 24 vjeç nga Shqipëria dhe një vajzë 22 vjeçe, e cila ka marrë dëmtime dhe djegie në 50 për qind të trupit. Po kështu të prekur nga ngjarja mes dhjetë të plagosurve janë tre fëmijë, një tetë vjeç, një 5 vjeç dhe një fëmijë tetë muajsh. Ngjarja shkaktoi panik pasi banorët dolën në rrugë duke braktisur shtëpitë, teksa menduan se bëhej fjalë për ndonjë shpërthim bombe. Policia tha se mes dhjetë të plagosurve, pesë prej tyre janë mbajtur në spital, ndërsa ka nisur hetimi në lidhje me ngjarjen. Dyshohet se shkak i shpërthimit ka qenë një defekt në mekanizmin e gazit. Në godinën e banimit ku ndodhi ngjarja, mësohet se jetonin 15 familje, me gjithsej 50 anëtarë. Sipas të dhënave të Policisë, shumica e banorëve aty janë qiraxhinj, por që kishin akses në sistemin e shpërndarjes së gazit.