E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, Skeletet e të vdekurve ndotin ujin e pijshëm

BERAT -Që prej një viti qindra banorë të qytetit të Beratit furnizohen me ujë të pijshëm, të ndotur nga skeletet e të vdekurve. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Berat bëjnë me dije se rreth 900 metra linear tubacion (krejtësisht i amortizuar) i ujit të pijshëm që kalon mes për mes varrezave të qytetit, kërcënon çdo ditë jetën e qytetarëve nga shpërthimi i një epidemie të mundshme. Specialistë të kësaj drejtorie shprehen se në stinën e nxehtë të pranverës dhe verës rreziku është edhe më i madh dhe nuk përjashtohet mundësia e rënies nga çasti në çast i epidemive. Mësohet se që më 6 shkurt të këtij viti, drejtoresha Rajonale e Shëndetit Publik, Valbona Papa i ka kërkuar Bashkisë së Beratit zhvendosjen urgjent të tubacionit të ujit të pijshëm që kalon në mes të varrezave. "Tubacioni nuk është spostuar ashtu si kemi lënë detyrë ne si inspektorë rajonalë dhe inspektorët e Shëndetit Publik në Tiranë. Për shkak të këtij tubi, banorët e lagjes "çlirim" janë të rrezikuar nga sëmundjet infektive", - ka cituar Papa në letrën drejtuar bashkiakëve.
NDOTJA
Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Berat, Fatir Shehu në një prononcim të dhënë dje për "Gazeta Shqiptare" pranoi se tubacioni është tejet i amortizuar. Ai pohoi se rrjeti është ndërtuar 40 vjet më parë dhe nuk është bërë investim për rikonstruksionin e tij. "Ky tubacion furnizon me ujë zonën përreth ish-Ndërmarrjes Ushqimore dhe banesat poshtë ish-Kombinatit të Tekstileve deri në fshatin Orizaj të Komunës Otllak dhe të gjithë zonën industriale ku edhe është përqendruar biznesi beratas", - shprehet Shehu. Ai sqaron se që nga viti 2006 e në vazhdim ky problem ka qenë shqetësim për Ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe banorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga tubacioni që kalon mes për mes varrezave të qytetit. "Ne kemi hartuar projektin dhe e kemi miratuar atë në KRRT dhe Këshillin Bashkiak të qytetit të Beratit. Projekti është dërguar në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Komunikacionit, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, por deri tani nuk është financuar", - thotë Fatir Shehu. Sipas tij, tubacioni aktual është tejet i amortizuar dhe spostimi i tij është emergjent.
INVESTIMI
Kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në qytetin e Beratit deklaron se e vetmja zgjidhje është spostimi nga varrezat i tubacionit me gjatësi prej 900 m linear. Ndërkohë që ndërhyrja në rrjet kap vlerën e 8.6 milionë lekëve. "Ndërmarrja dhe Bashkia nuk kanë asnjë mundësi financimi. Edhe këtë vit kemi ripërsëritur kërkesën tonë për mundësimin e financimit të projektit që kemi paraqitur në MPBTK. Kjo me qëllim spostimin e tubacionit nga varrezat, si e vetmja zgjidhje për të shmangur rrezikun e shpërthimit të epidemive", - pohon drejtori Fatir Shehu. Problemi, i cili është i njohur nga të gjithë, përveçse kërkon zgjidhje emergjente është kthyer edhe në një përplasje politike mes grupit të këshilltarëve të LSI-së dhe kryetarit të Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI-së, Lonik çuedari, veç të tjerash, zhvendosjen e tubit të ujit të pijshëm nga varrezat e qytetit e ka vënë si parakusht për të votuar projekt-buxhetin dy herë të rrëzuar të Bashkisë për vitin 2010. Kryebashkiaku Nasufi ka argumentuar se Bashkia nuk ka mundësi financiare për të kryer këtë investim. Ndërsa u ka kujtuar dhe sugjeruar këshilltarëve të LSI-së që të kërkojnë financimin e projektit të hartuar te zv/ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Komunikacionit, Edmond Haxhinasto, si dhe te drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilët janë në këto poste si përfaqësues të LSI-së.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›