Grupi i PS, vendos sot per pjesëmarrjen në seancë
TIRANE- Deputetët socialistë do të vendosin sot nëse do të shkojnë në seancën parlamentare të pasdites. Pas refuzimit të nismës së tyre nga maxhoranca në seancën e 19 marsit, ligjvënësit socialistë janë vënë përballë një situate të re. Ata duhet të vlerësojnë nëse vijimi i bojkotit do të jetë rruga që do të ndjekin këtej e tutje, apo do të shfrytëzojnë disa hapësira në parlament për të ngritur zërin e tyre dhe për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 2009-ës. Kjo mbledhje e grupit parlamentar do të caktojë vetëm qëndrimin ndaj seancës së sotme plenare, pasi për marrëdhëniet në vijim do të vendosë Asambleja Kombëtare ditën e shtunë. Ajo çka kanë deklaruar deri tani socialistët është se do të vijojnë protestat. Madje, deputetët kanë zhvilluar takime me bazën e tyre, jo vetëm për t’u sqaruar se çfarë ndodhi në seancën e fundit, por edhe për t’i përgatitur për këto protesta. Megjithatë, burimet nga PS-ja bëjnë të qartë se jeta parlamentare nuk do të braktiset plotësisht, pasi një bojkot total ndaj Kuvendit nuk ka as mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësuesit e këtyre të fundit gjithmonë kanë vënë theksin se zgjidhja duhet të gjendet brenda institucioneve. Një alternim i protestave popullore me jetën parlamentare është sugjeruar tashmë si një nga rrugët më të mundshme dhe më të mira nga figura të ndryshme të PS-së. Megjithatë pritet që vetë ligjvënësit të rrahin sot në mesditë mendimet dhe të dalin me një qëndrim zyrtar para nisjes së seancës parlamentare. Socialistët nuk do të marrin pjesë në komisionin hetimor të miratuar me votat e maxhorancës, por ndërkohë kërkojnë që PD-ja të tërheqë këtë vendim për t’i hapur rrugë kompromisit.
(gsh/BalkanWeb)
(gsh/BalkanWeb)