E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, dita kundër hipertensionit, vizita falas në klinikat e lagjeve

Dy qendra shëndetësore në qytetin e Beratit kanë mbajtur dyert hapur ditën e djeshme dhe kanë ofruar vizita dhe analiza falas për gjithë qytetarët në ditën kushtuar hipertensionit dhe diabetit. Në mbështetjen e Shoqatës së Diabetikëve, shoqatës gjermane për shëndetin Berlin- Chemie Menarini dhe qendrat shëndetësore të mjekut të familjes është organizuar dje Dita e Hipertensionit dhe e Diabetit në Qytetin Tënd. Një sërë aktivitetesh janë organizuar me qëllimin e vetëm, ndërgjegjësim e qytetarëve rreth rrezikut të dy sëmundjeve, ku sipas shifrave pacientët e prekur prej tyre kanë ardhur në rritje nga viti në vit.Që në orët e para të mëngjesit, në të gjitha rrugët e qytetit janë shpërndarë fletëpalosje me informacione rreth sëmundjeve të hipertensionit dhe diabetit. Ndërsa një grup vullnetarësh kanë ofruar për qytetarët shërbimin e peshës trupore, matjes së gjatësisë ku qindra qytetarë kanë shfaqur interes për të ditur peshën e tyre trupore, gjatësinë. Po gjatë kësaj dite dy qendra shëndetësore të mjekut të familjes ajo në lagjen Muzakaj dhe 30 Vjetori kanë ofruar për gjatë gjithë ditës shërbimin e matjes së tensionit dhe kryerjes së analizës së diabetit falas për qytetarët. Sipas organizatores së këtij projekti,mjekes Arjana Lapardhaja, vetëm në këtë lagje janë të evidentuar 150 pacientë që vuajnë nga hipertensioni dhe diabeti. Ndërsa nga 100 vizitat e bëra vetëm gjatë paradites së djeshme nga qytetarë që nuk rezultonin pacientë të rregullt, 30 prej tyre kanë shfaqur probleme me luhatjen e tensionit dhe rritjen e nivelit të sheqerit në gjak. Qendrat shëndetësore të mjekut të familjes në këto lagje kanë qëndruar hapur deri në orët e para të mbrëmjes së djeshme në këtë qytet, që këtë vit u zgjodh qytet pilot për organizimin e aktiviteteve për ditën kushtuar sëmundjes së hipertensionit dhe diabetit.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›