E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Stina Koncertore e Pranverës" Trio instrumentale me vepra nga Beethoven dhe Shostakovich

Në Akademinë e Arteve po zhvillohen koncerte me vepra të autorëve botërorë
Në vijim të Stinës Koncertore të Pranverës në Akademinë e Arteve në datën 15 prill zhvillohet koncerti i radhës, i cili ka si protagonistë studentë të Fakultetit të Muzikës. Koncerti, i cili është një trio instrumentale do të sjellë në skenën e arteve veprat e kompozitorëve të njohur botërorë si Beethoven, Shostakovich dhe Pazzola. Janë tre studentë të këtij fakulteti, Marisa Hatibi në violinë, Dorina Laro në violonçel si dhe në piano Kristina Petrollari të cilat do të lumjan për publikun vepra të këtyre autorëve të njohur botërorë. Ndërkohë që vetëm disa ditë më parë publiku në një koncert, që zgjati rreth një orë pati mundësi të shijojë pjesë të tilla si sonata për piano, allegro molto ed appasionato, adagio cantabile, scherzo presto etj, që u interpretuan nga pianistja dhe pedagogia e kësaj Akademie Klejda Tare. I sjellë si një shembull për studentët e Departamentit të Muzikës, recitali i Tares nuk është i vetmi në këtë drejtim. Në sezonin e dimrit kanë interpretuar krahas koncerteve të studentëve dhe pedagogë të shumtë të kësaj akademie si Merita Rexha Tërshana dhe Nora Çashku.  Recitali e pianistes Tare nën interpretimin virtuoz të saj, u prit mjaft mirë nga spektatorët. Ndërkohë që edhe koncerti i datës 15 prill pritet të jetë një tjetër aktivitetet, i cili do të rrëmbejë duartrokitjet e publikut dhe studentëve të arteve. Sezon i Stinës Koncertore të Pranverës në Akademinë e Arteve do të sjellë edhe koncerte me vepra të ndryshme të autorëve shqiptarë. Ashtu si edhe në sezonet e tjera edhe këtë herë sitna koncertore do të jetë e mbushur me veprimtari muzikore, ku nuk do të mungojnë dhe risitë. Drejtori organizativ i kësaj stine, Alqi Lepuri, Artist i Merituar, njëkohësisht dhe Shef i Katedrës së Dirixhimit, në Akademinë e Arteve tregon se kjo stinë, e cila ka filluar që në datën 10 mars shërben mbi të gjitha që nxënësit të mësohen me skenën dhe të kenë mundësi të shfaqin vlerat e tyre artistike, në një audiencë më të madhe. Sipas tij në këtë mënyrë do të evidentohen më të mirët mes talenteve të reja të arteve në fushën e muzikës, dhe njëherësh kryeqyteti do të ketë një aktivitet më tepër në axhendën e zhvillimeve kulturore të tij. Stina Koncertore e Pranverës, ashtu si të gjitha të tjerat është e mbushur me aktivitete të larmishme artistike. Konkretisht realizohen koncerte të ndryshme e të rregullta javore, por ka edhe raste që të tilla janë të pranishme për publikun edhe dy herë në javë. Janë të përfshirë pedagogë, profesorë e studentë nga të gjitha vitet e Akademisë së Arteve. Pjesëmarrja e tyre është shumë evidente edhe kësaj here. Mund të them se ka profesorë, titullarë, që përveç drejtimit të studentëve luajnë solo, recitale, duo e kështu me radhë. Është një grup i tërë pune që merret me organizimin e këtij aktiviteti, shprehet ai. Stina Koncertore e Pranverës nuk organizohet për herë të parë në Akademinë e Arteve, pasi ajo është zhvilluar dhe në sezone të tjera. Nisja e kësaj stine është shpallur në muajin mars dhe do të zgjasë deri më 25 qershor të këtij viti, por qëllimi i këtij organizimi është i shumëfishtë. Kështu do të materializohet dhe do të bëhet publike dija që artistët e rinj nxënë në këtë shkollë, e veç të tjerash, do të nxitet konkurrenca mes tyre. Në këtë mënyrë do të evidentohen më të mirët mes talenteve të reja, e njëherësh kryeqyteti do të ketë një aktivitet më tepër në axhendën e zhvillimeve kulturore të tij. Stina Koncertor e Pranverës ka filluar më 10 mars dhe përfundon më 15 qershor të viti 2009, nën drejtimin e Prof. As. Alqi Lepuri, drejtor Artistik. Prof. Dr. Sokol Shupo, dhe koordinatorë, Prof. Nora Çashku, Prof. As. Ramadan Peku, Sokol Saraçi, Elvis Rudi, Nesti Gegprifti dhe Ylli Balla. Ndërkohë që në datën 22 prill pritet koncerti tjetër i kësaj stine me vepra nga Puçini, Bach, Çajkovski etj, por do të ketë dhe krijimtari popullore shqiptare.

Last Updated on Monday, 13 April 2009 22:04

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›