Zbarkon në Durrës anija Maior me trupa dhe pajisje për në Kosovë
Një kontigjent i madh trupash ushtarake të shtetit italian kanë mbërritur në portin e Durrësit me anijen ushtarake Maior por menjëherë pasi kanë zbritur, janë nisur drejt Kosovës. Kontigjenti i trupave të reja të misionit të KFOR-it ka mbërritur në portin e Durrësit me anijen ushtarake paraditen e së hënës. Pas një udhëtimi disa orësh anija ka hedhur spirancën në kalatën pesë të portit të Durrësit, por jo gjithçka ka shkuar mirë në udhëtimin e kësaj anijeje, pasi gjatë këtij udhëtimi menjëherë pasi ka festuar Pashkët me kolegët e tij njëri nga marinarët ka pësuar infarkt dhe ka vdekur mëngjesin e djeshëm.
Burime nga kapiteneria saktësojnë se anija ushtarake ka sjellë trupa për në misionet paqeruajtëse në Kosovë. Sipas burimeve nga kapitaneria, në portin e Durrësit ka mbërritur një batalion i motorizuar i ushtrisë italiane, i cili përbëhet nga 150 trupa ushtarake, 460 autoblinda dhe 5 tanke, si dhe një numër i madh kontejnerësh me rroba dhe ushqime. Në autokolonë ishin përfshirë edhe kamionë të ngarkuar me armatim të lehtë dhe të rëndë, dhjetëra automjete te blinduara, pajisje logjistike si dhe të prapavijës. Pasditen e djeshme trupat italiane janë nisur drejt Kosovës nëpërmjet itinerarit Durrës- Kukës-Morine. Por së bashku me të gjitha këto trupa e mjete, anija Maior Bari ka zbritur në tokë edhe kufomën e marinarit të kësaj anijeje e cila është nisur me urgjencë në spitalin e Durrësit për ti bërë autopsinë dhe për të zbuluar shkaqet e vdekjes që nga dëshmitë duket se ka ardhur prej infarktit. Marinari ka vdekur nga infarkti rreth orës 07.00 të ditës së djeshme. Ai quhet Ciro Bagno, 51 vjeç, nga Hercolano Napoli dhe ishte pjesëtar i tragetit Maior Bari që ka sjellë në mëngjes trupa dhe mjete ushtarake italiane me destinacion Kosovën. Vdekja është konfirmuar nga kolegë të tjerë të marinarit, ndërkohë që ai është dërguar në morgun e spitalit Durrës, kurse prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen dhe nga rezultatet e para duket se marinari ka pësuar një infarkt në zemër. Trupi është dërguar shumë shpejt në spital, por nuk ka patur shpresë për 51- vjeçarin. Veprimet për kthimin e kufomës në Itali janë marrë përsipër nga agjencia funerale Leba. Të pranishëm në kryerjen e autopsisë së kufomës kanë qenë edhe nga ambasada italiane në Tiranë. Trageti Maior zakonisht kryen transportime trupash dhe mjetesh ushtarake nga të dy brigjet e Adriatikut. Ky traget ka kryer shumë udhëtime nga Italia drejt porteve shqiptare me pajisje ushtarake, ose me mallra të ndryshme të transportuara për llogari të enteve shtetërore italiane. Ai ka një peshë prej 6000 ton. Shkarkimi i pajisjeve ka nisur rreth orës 08:30 dhe ka vazhduar deri në orën 12:30.
Last Updated on Monday, 13 April 2009 22:05
Last Updated on Monday, 13 April 2009 22:05