PD: Rama me korrierin e tij Braçe sulmon sërish rrugën Durrës-Kukës
Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të zëvendës kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, se rrugën Durrës-Kukës do ta përfundojë qeveria socialiste, duke mos bërë vjedhje si qeveria e Partisë Demokratike të investimeve për rrugën. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli gjatë një deklarate për mediat u shpreh se Edi Rama me armiqësinë e tij të verbër ndaj rrugës nxori sërish kundër saj, yllin e politikës së re që këto kohë s'po e përmend më, korrierin e Dondollakut, Erion Braçen, për të sulmuar sërish rrugën dhe ndërtimin e saj.
Ajo shtoi më tej se partia Demokratike dënon sërish këtë qëndrim të Edi Ramës, armikut të rrugës i cili provon se Prokurorinë e Përgjithshme që fle mbi dosjet e larjes së parave të pista e krimeve të tij dhe klanit të tij kërkon ta keqpërdorë si parti politike. Në prononcimin për mediat, zëdhënësja e PD, ka deklaruar se përfundimin e rrugës Durrës-Kukës do ta inaugurojë kjo qeveri dhe jo PS. PD dënon deklaratën e Edi Ramës që kërkon ta përdorë prokurorinë për qëllime politike. Përfundimi i rrugës po afron bashkë me fundin e mjerë të Ramës, ka pohuar Mëhilli.