Berat, ekzekutohet me plumb në zemër 37-vjeçari
Sokol Kokoshi është vrarë nga djali i xhaxhait të bashkëshortes së tij pas një konflikti të nisur dy ditë më parë
BERAT- Një konflikt brenda familjes ka sjellë dje ekzekutimin me pistoletë të një 37-vjeçari në qytetin e Beratit. Ngjarja që ka tronditur kalimtarët e shumtë që ndodheshin në rrugë, ka ndodhur rreth orës 09.30 të mëngjesit të djeshëm. Sokol Kokoshi sapo është ngritur nga lokali ku kishte pirë kafen, është përballur me plumbat e djalit të xhaxhait të bashkëshortes së tij. Pas krimit, Ndriçim Veleshnja është larguar me pistoletën në dorë duke tmerruar dëshmitarët okularë.
Ngjarja
Vetëm dy ditë më parë, Sokol Kokoshi kishte pasur një konflikt me djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij. Gjatë sherrit ai e kishte goditur atë disa herë me grushte. Situata është përkeqësuar dhe mëngjesin e djeshëm vjehrri i tij i kishte kërkuar një takim për të sqaruar gjithçka. Takimi është zhvilluar rreth orës 09.00 në një prej lokaleve në qendër të qytetit të Beratit. Në takim kanë marrë pjesë edhe dy anëtarë të tjerë të familjes së gruas së viktimës. Teksa po përpiqeshin që të zgjidhnin konfliktin e krijuar, situata është përkeqësuar dhe të dyja palët kanë ngritur tonet. Në këtë moment, njëri prej vëllezërve Veleshnja, sapo ka hyrë në derën kryesore të lokalit, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt Sokol Kokoshit. Plumbi e ka goditur në anën e majtë të kraharorit, pranë zemrës duke i prerë një nga arteriet kryesore. Pas kësaj, vrasësi është larguar i qetë duke dalë nga lokali me pistoletë në dorë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori i këtij krimi është 32-vjeçari Ndriçim Veleshnja, i cili është njëkohësisht djali i xhaxhait të bashkëshortes së viktimës. Dëshmitarët pohuan se ai ndodhej në makinën me targa "TR 8837 I" dhe po priste jashtë lokalit, por ky ka parë që situata është tensionuar ka ndërhyrë me pistoletë. Persona të tjerë që ndodheshin në lokal kanë marrë me shpejtësi viktimën duke e dërguar për në spital por ai ka gjetur vdekjen gjatë rrugës.
Arratia
Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit dhe policia ka shkuar atje pak minuta më pas por autori i krimit ishte zhdukur. Uniformat blu kanë ngritur postblloqe të shumta në akset kryesore të qytetit por pa arritur që të kapin të kërkuarin. Burimet e grupit hetimor pohuan se kanë shpërndarë në të gjitha komisariatet e zonës fotografinë e Ndriçim Veleshnjes. "Pronari i lokalit dhe të gjithë klientët që ndodheshin aty në momentin e ngjarjes janë marrë në komisariat dhe janë pyetur në cilësinë e dëshmitarëve. Nga dëshmitë e tyre është krijuar një skicë e ngjarjes ndërsa po hetohen edhe personat që kanë shoqëruar vrasin",- thanë dje burimet e grupit hetimor të ngjarjes.