Fushatë kundër kultivimit të drogës
Vazhdon në Qarkun e Gjirokastrës fushata sensibilizuese me komunitetin e rretheve të Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës kundër kultivimit dhe përdorimit të drogës.Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Rajonale të Luftës Kundër Drogës në këtë Drejtori,me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, me mbështetjen e Zyrën së O.S.B.E-së në Gjirokastër, të Drejtorisë Arsimore Rajonale si dhe të Prefekturës, kanë zhvilluar gjate ditëve të fundit një sërë takimesh sensibilizuese në shkollën e mesme dhe 9 vjeçare të Qarkut të Gjirokastrës."Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë sensibilizimi i të rinjve për të qëndruar larg drogës , si dhe ata të sensibilizojnë të afërmit e tyre për të mos kultivuar bimë narkotike", thotë zëdhënësi për shtyp i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai për takimet e zhvilluara gjatë fushatës antidrogë në Jug të vendit. Të rinjtë e shkollave, qeveritë e nxënësve, stafet pedagogjike, punonjësit e policisë, etj kanë përcjellë në këto takime mesazhe në lidhje me mospërdorimin e drogës nga ana e të rinjve. Në fund të takimeve nxënësve iu shpërndahen materiale sensibilizuese si postera, fletëpalosje etj për të marrë informacionin e nevojshëm në lidhje me rrezikun që mbart përdorimi dhe kultivimi i lëndëve narkotike. Jugu i vendit vazhdon të konsiderohet një zonën “ e nxehtë” në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike. Në takimin e fundit të shtabit të ngritur në shkallë Prefekture për luftën kundër përdorimit dhe kultivimit të drogës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi e cilësoi Qarkun e Gjirokastrës si një zonë problematike në mbjelljen dhe kultivimin e hashashit.