Himarë, i sëmuri mendor vret 75-vjeçarin
Sipas dëshmitarëve okularë, autori 24-vjeçar me probleme mendore kishte nisur të zihej me persona të ndryshëm në qytet
Bledi Xhaferi ka vrarë me sende të forta Pirro Bollanon duke shkaktuar panik në të gjithë qytetin
HIMARË- Një 75-vjeçar është ekzekutuar barbarisht në qendër të qytetit të Himarës nga një punëtor sezonal, i cili kishte shfaqur shpesh herë probleme mendore. Sipas burimeve zyrtare të policisë, viktima është 75-vjeçari Pirro Bollano, banor i Himarës, i cili u godit për vdekje me sende të forta nga 24-vjeçari, Bledi Xhaferri. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme dhe gjithçka përparoi shumë shpejt, sa që çdo ndërhyrje për të shuar "përleshjen" ka qenë e pamundur. Nga hetimet paraprake, mësohet se shkak ka qenë pikërisht sëmundja e vrasësit, i cili pretendonte se viktima duhet ti jepte një sasi parash.. Dëshmitarët okularë pohuan se Xhaferri ka qëlluar të moshuarin e pambrojtur disa herë pas koke me gurë
***
Sipas dëshmive të dhëna në polici, i punësuari 24-vjeçar kishte ardhur në Himarë që nga Fier Shegani, ku banonte. Në kushtet e mungesës së punës në zonën e tij, kishte preferuar të migronte për punë brenda vendit dhe ishte ndalur pikërisht në Himarë. Aty, interesohet të bënte punë krahu nëpër shtëpitë e banorëve që ishin të interesuar për një ndihmë të tillë. Prej disa kohësh, Xhaferi ishte punësuar në shtëpi të ndryshme në qytetin e Himarës ku kryente çfarëdolloj pune. Por ditën e djeshme 24-vjeçari mësohet se ka nisur të shfaqë shenja të problemeve mendore. Ai ka filluar të debatojë me qytetarë të ndryshëm duke i kërkuar gjëra nga më absurdet. Më pas i është sulur të moshuarit duke pretenduar se ai duhet ti jepte para për një punë. Askush nga dëshmitarët okularë nuk di të thotë se si precipituan gjërat dhe sherri u bë i dhunshëm. "Sherri nuk ka zgjatur për shumë kohë, pasi 24-vjeçari, i nxehur ka marrë në dorë një mjet pune të fortë dhe ka nisur të qëllojë mbi 75-vjeçarin Bollano"- thonë burimet. Goditjet kanë rezultuar fatale për burrin e vjetër, i cili si pasojë e dëmtimeve dhe hemorragjisë së tepërt ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas mjekëve, ai kishte marrë goditje të forta vdekjeprurëse në kokë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit.
***
Të afërmit kanë dëgjuar zhurmën e bërë dhe janë nisur ta ndihmojnë, por nuk kanë mundur të arrijnë në kohë. Sipas tyre, i moshuari ka qenë i shtrirë përtokë dhe i gjakosur dhe atyre nuk u ka mbetur tjetër, veçse të lajmëronin policinë. Efektivë të rajonit të Himarës mësohet se kanë mbërritur shumë shpejt, por gjithçka kishte mbaruar dhe ata kanë bërë vetëm ndalimin e autorit. Ai është shoqëruar menjëherë në postën e policisë së Himarës e më tej në paraburgimin e komisariatit të Vlorës. Siç mësohet nga banorët vendas, por edhe nga të dhënat paraprake për autorin e vrasjes, rezulton se ky i fundit kishte probleme mendore. Banorët tregojnë se ai njihej si njeri me probleme, por nuk kishte shfaqur më parë shenja të rrezikshme. Këtë e ka shfaqur edhe dje kur pasi ka kryer aktin barbar, nuk ka lëvizur fare nga vendi. Edhe pas arrestimit nga policia, Xhaferri ka qëndruar tepër i qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. "Mbi të rëndon akuza e vrasjes me dashje",- thonë burimet e policisë.
Anila Peçi