E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, emigranti vritet në mënyrë misterioze

Erion Shuka është gjetur i zhveshur dhe i vrarë me një plumb në gjoks. Pak kohë më parë kishte ardhur nga Greqia

BERAT- Një emigrant 28-vjeçar është gjendur i vrarë në mënyrë misterioze mesditën e djeshme në Berat. Trupi i gjakosur dhe i zhveshur është gjetur në fshatin Moravë nga një banor i fshatit, i cili po punonte arën e tij. Banori i fshatit Moravë është afruar dhe pak më afër, për të parë nëse njihte apo jo viktimën dhe kur ka parë gjendjen e tij ka njoftuar bashkëfshatarët. Pa bërë asnjë veprim të mëtejshëm banorët kanë lajmëruar policinë, e cila bashkë me punonjës të sektorit të krimeve të rënda dhe ekspertë të kriminalistikës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë parë nga afër kufomën e pajetë të të riut 28 vjeç. Nga hetimet e para është konstatuar se shtetasi i gjetur i zhveshur dhe i vrarë quhet Erjon Shuka, 28 vjeç, banor nga lagjja Guri i Bardhë të qytetit të Urës-Vajgurore.

Viktima

Burimet e policisë nga vendi i ngjarjes pohuan se viktima është e zhveshur dhe e masakruar në pjesë të ndryshme të trupit. Por goditja përfundimtare e viktimës i është dhënë nga një armë zjarri. “Vetëm dy metra larg kufomës së pajetë kemi gjetur rrobat e trupit të Erjon Shukës. Bëhet fjalë për një bluzë trikotazh ngjyrë kafe dhe pak më larg një xhup ngjyre kafe, në xhepin e brendshëm të së cilit është gjetur një telefon celular ngjyrë të zezë, brenda të cilit ka qenë e pa aktivizuar një kartë telefonike greke. Gjatë ekzaminimit të kufomës rezulton se personi mund të jetë vrarë pas mesnatës së datës 05.12.2008”,- thanë dje hetuesit që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes. Edhe të afërmit e viktimës kanë konfirmuar se ai nuk është kthyer në shtëpi atë natë. Ekspertët kanë bërë të ditur se viktima është i moshës 30 vjeç, me trup mesatar, i gjatë 170 cm, me fytyrë të bardhë e pak të vrazhdë, flokë të zinj të prera shkurt, 1cm të gjatë, pak të rënë në dy anët e ballit, sytë ngjyrë kafe, dhëmbi i qenit i nofullës së poshtme është i rënë. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Beratit ku është verifikuar se Shuka është vrarë me një plumb armë zjarri pistoletë model 54, me vrimë hyrje në gjoks dhe vrimë dalje në anën e pasme të kurrizit. Në momentin e gjetjes se personit të vrarë, ai ka pasur të veshur këpucë ngjyrë kafe të sheshta dhe çorape ngjyrë kafe, me pantallona xhins ngjyrë blu, në trup ka të veshur një triko leshi me mëngë zhapone.

Hetimi

Pas identifikimit të kufomës së gjetur në mënyrë spontane nga banorë të fshatit Moravë, grupi hetimor ka nisur zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Në spital kanë shkuar të afërm të viktimës dhe kur kanë parë turpin e të afërmit të tyre e kanë njohur. Nga hetimet e deritanishme është verifikuar se Erjon Shuka ka qenë emigrant në shtetin e Greqisë. Në pyetje për identifikim janë marrë banorë të fshatit Moravë por dhe të lagjes Guri i Bardhë të qytetit të Urës- Vajgurore. Nga dëshmitë ka rezultuar se Shuka ka qenë person i rregullt nuk ka pasur asnjë konflikt më persona të ndryshëm. Duke u bazuar tek të dhënat e të afërmve se nga emigrimi 28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer, policia po heton në pistën e grabitjes së viktimës nga persona të tjerë të cilët pasi e kanë vjedhur e kanë zhveshur masakruar dhe më pas vrarë me armë zjarri. Ndërsa nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se ndoshta vrasja e Shukës ka ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të mundshëm të lindur ditët e fundit, arsyet e së cilës nuk bëhen të ditura pasi janë ende në fazën fillestare të hetimit. Deri në orët e vona të djeshme policia ka bërë ndalim për të marrë në pyetje disa persona të cilët dyshohen se kanë gisht në këtë ngjarje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›