Veliaj: Parqet eolike të jenë në favor të shqiptarëve
VLORË- Investimi i parqeve eolike duhet të jetë në favor të shqiptarëve dhe jo në favor të të huajve. Kjo ka qenë deklarata e kreut të G99, Erion Veliaj, në qytetin e Vlorës. Veliaj i shoqëruar dhe nga mbështetësit e tij në këtë qytet ka dhënë një deklaratë për shtyp me sfond nga gadishulli i Karaburunit, i cili është vendi ku është parashikuar që të përqendrohet më shumë ky investim. Veliaj është shprehur se nuk është kundër këtij projekti por e rëndësishme është që dhe Shqipëria të jetë përfituese e tij dhe jo i gjithë prodhimi të eksportohet në shtete fqinjë. Kreu i G99 ka akuzuar qeverinë për investimet e huaja, nga të cilat asnjë prej tyre nuk shkon në favor të Shqipërisë duke përmendur këtu dhe biznesmenin Fazlliç.
Nuk kanë munguar dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Berisha se ai shikon vetëm për të favorizuar familjarët e tij dhe jo Shqipërinë. Erion Veliaj ka shtuar gjithashtu se kjo qeveri nuk është e aftë t’iu shërbejë qytetarëve të saj, gjë e cila nuk ka nevojë për komente pasi faktet flasin vetë, ku zgjidhja e këtyre problemeve do të jetë kur kjo qeveri mos të jetë më. “Për sa i përket parqeve eolike, zona e Vlorës duket qartë se është një zonë shumë e favorshme për këtë investim. Por ky investim nuk ka asnjë vlerë nëse nuk do t’iu shërbejë shqiptarëve. Ky investim nuk mund të quhet i suksesshëm vetëm se kryeministri merr një fotografi me kryeministrin e një vendi tjetër. Qeveria duhet t’i kërkojë firmës e cila ka marrë përsipër këtë projekt që investimi që të jetë i dobishëm për Shqipërinë dhe nëse kjo firmë nuk e pranon këtë marrëveshje, janë të shumta firmat të cilat e marrin përsipër këtë investim me qëllim që t’i shërbejë dhe qytetarëve shqiptarë”,- tha dje Erion Veliaj. Sipas tij, qeveria duhet të bënte një marrëveshje me palën italiane që Shqipëria të blejë këtë energji me çmime të favorshme dhe nga ana tjetër investuesi të gjejë gjuhën e përbashkët me pronarët e tokës.