Godo: Në vitin 2009 zgjidh krizën e ilaçeve
KORÇË- Në vitin 2009 çështja e ilaçeve në spitalet shqiptare do të marrë një zgjidhje përfundimtare. Ky është premtimi që ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka bërë në Devoll dhe Korçë gjatë një inspektimi të spitaleve të juglindjes në dy ditët e fundit. Numri një i shëndetësisë shqiptare, Godo, ka qenë gjatë mbrëmjes të së premtes në spitalin e qytetit të Bilishtit, ndërsa të shtunën paradite në spitalin rajonal të Korçës ku ka parë ambientet e tyre dhe është njohur me nevojat imediate të këtij spitali. Por ajo që duket se ka befasuar ministren e Shëndetësisë në spitalin e Bilishtit dhe në atë të Korçës, ku investimet në këtë të fundit janë shumë të mëdha, kanë qenë kushtet e mira higjieno-sanitare. Në fjalën e saj pas inspektimeve të lartpërmendura, Godo ka theksuar se nevojat në të gjitha spitalet shqiptare janë të shumta dhe nga kjo nuk bënë përjashtim as juglindja. Sipas saj problemi kryesor është furnizimi i spitaleve me ilaçe. Viti 2009, sipas ministres Godo, nuk do ta njohë më këtë nevojë, ndërsa sipas saj nevoja për investime është e madhe. Madje në spitalin e qytetit të Bilishtit në rrethin e Devollit, Godo ka premtuar se ky spital nuk do të mbyllej ashtu sikurse ka pasur zëra prej disa kohësh por do të vazhdojë të funksionojë. Ajo ka pohuar se në këtë spital do të ndërhyhet për të përmirësuar disa shërbime të tij duke sjellë pajisje të reja. Ministria e Shëndetësisë ka parë nga afër të gjitha ambientet e spitalit e shoqëruar me një grup specialistësh të Ministrisë së Shëndetësisë ndërsa ka marrë të gjitha kërkesat e mjekëve të këtij spitali me një kapacitete të vogël prej rreth 30 shtretër dhe ku nuk kryhen ndërhyrje kirurgjikale, për të shqyrtuar me kujdes dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Spitali i Bilishtit iu shërben 45 mijë banorëve të rrethit të Devollit, ndërkohë që në të bëhen trajtime të shumta por nuk kryhen operacione ndonëse ka dhe mjekë kirurgë që punojë në të dhe kryejnë ndërhyje që nuk kanë nevojë për anestezi të plotë, por lokale.