Dade: PD po politizon çështjen Basha
Socialistët kanë akuzuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij se po bëhen streha e njerëzve që duan t’i ikin drejtësisë
“Ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare do të thotë të fshihesh pas simbolit kombëtar”
TIRANË- Partia Socialiste e konsideron çështjen e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, si një shembull i politizimit të hetimeve nga ana e mazhorancës. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje se opozita dhe opinioni publik kërkojnë zbardhjen e çështjes për zhdukjen e fondeve në rrugën Durrës-Kukës, duke akuzuar gjithashtu qeverinë se është shndërruar në një strehë për të gjithë ata që kërkojnë të ikin nga gjykimi i drejtësisë.
“Politizimi i kësaj çështjeje kaq të rëndësishme për moralin e shtetit, të qeverisë dhe politikës, jo vetëm që nuk ndihmon në zbardhjen e së vërtetës, por përkundrazi ndihmon për mbulimin e së vërtetës. Kjo nuk i shërben opinionit publik, por i shërben të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë korrupsion galopant të përmasave të frikshme. Të kërkosh zbardhjen e së vërtetës, do të thotë t’i shërbesh interesave të vendit,”- tha dje Dade. Gjithashtu Dade ka akuzuar qeverinë se po fshihet pas simbolit kombëtar për të fshehur korrupsionin që ka ndodhur në ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës. “Ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare do të thotë të fshihesh pas simbolit kombëtar dhe të mbulosh këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë, padyshim më e madhja dhe më e frikshmja e të gjithë periudhës së tranzicionit,”- tha ajo. Dade, duke e theksuar idenë se kryeministri Sali Berisha dhe ministri Basha kanë zgjedhur të mbrojnë korrupsionin, ka akuzuar qeverinë për mënyrën sesi lejon që një ministër i akuzuar për abuzim financiar refuzon të shkojë përpara organeve të drejtësisë dhe se si vetë qeveria e përkrah dhe bëhet strehë e tij, duke iu kundërvënë vetë organit të drejtësisë. Kështu pra Partia Socialiste ka theksuar se opozita dhe opinioni publik, kanë zgjedhur të mbrojnë interesat e vendit, ndërkohë që Berisha zgjedh të mbrojë një të akuzuar të drejtësisë, ndërkohë që është organi i drejtësisë që duhet të vendosë për pafajësinë ose jo të ministrit Basha dhe jo kryeministri Berisha.