I divorcuari gjendet i masakruar në shtëpi
KORÇË- Një ngjarje misterioze ka tronditur dje fshatin Rehovë të Korçës teksa një 53- vjeçar është gjetur i masakruar në banesë. Trupi i përgjakur i Ferat Zenunit është zbuluar nga një afërmi i tij rreth orës 14.45 të ditës së djeshme. Sipas hetimeve të para të policisë lokale, mësohet se 53- vjeçari Ferat Zenuni jetonte i vetëm pas divorcit të kryer pak kohë më parë me bashkëshorten dhe fëmijët. Ata jetojnë në një tjetër shtëpi në po këtë fshat. Viktima është gjetur në korridorin e shtëpisë i përgjakur në fytyrë, si dhe me njolla gjaku të tjera në të. Dyshimi kryesor i policisë është për një vdekje aksidentale të viktimës pas humbjes së një ekuilibri të mundshëm gjë që e ka bërë atë të përplaset me një kornizë anësore druri në dysheme, teksa duket se më pas është zhvendosur përsëri deri në afërsi të derës kryesore të shtëpisë, por ka pësuar një tjetër përplasje. Burime të policisë së Korçës bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që vdekja të jetë e lidhur edhe me një akt kriminal të mundshëm, ndonëse nuk ka pasur ndonjë vjedhje në banesën e varfër të të divorcuarit. Gjithsesi policia ka dy pista të hetimit, atë të një vdekjeje aksidentale, por dhe të një vrasjeje të qëllimshme për motive të panjohura. Kufoma e 53- vjeçarit është transportuar për në spitalin e Korçës ku do t’i nënshtrohet ekzaminimit të autopsisë mjeko-ligjore e cila do të zbardhë një pjesë të kësaj të vërtete.