E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, investitori italian merr titullin Njeriu i vitit

/>Ka investuar në qytetin e Beratit për hapjen e një biznesi të prodhimit dhe tregtimit të çantave të ambalazhit, biznes i cili do të shndërrohej shumë shpejt në një nga më të rëndësishmit në të qytet, ndërkohë që është vlerësuar nga pushteti vendor me titullin Njeriu i vitit. Pushtetarë lokalë dhe njerëz të fushës së biznesit në këtë qytet kanë marrë pjesë dje në ceremoninë e dorëzimit të titullit Njeriu i vitit, investitorit italian të ndërmarrjes Servis Center, Damiano Pezzoti. Titulli për investitorin Pezzoti është akorduar nga bashkia e qytetit të Beratit në ditët e fundit të muajit dhjetor, ndërkohë që i është dorëzuar atij vetëm paraditen e djeshme, pasi ka mbërritur në këtë qytet pas festave të fund vitit. Kështu, në ambientet e kësaj ndërmarrjeje, një nga më seriozet dhe më të mëdhatë në këtë qytet është zhvilluar dje ceremonia e dhënies së këtij titulli. Ka qenë kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, i cili në emër të këshillit bashkiak i ka dorëzuar investitorit titullin Njeriu i vitit me motivacion Ndihmesën e dhënë në fushën e biznesit në këtë qytet. Ndërkohë, vetë investitori ka falenderuar nga ana e tij për këtë vlerësim të bërë dhe ka cilësuar si mjaft të mira marrëdhëniet e biznesit me investitorët shqiptarë. Servis Center ushtron aktivitetin e saj në qytetin e Beratit prej më tepër se shtatë vitesh, ndërkohë që prodhimet e çantave të ambalazhit që prodhohen në këtë ndërmarrje janë pjesë e tregut në botë. Aktualisht, ky biznes ushtron veprimtarinë në hyrje të qytetit të Beratit dhe ka të punësuar mbi 400 punëtorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›